Varg e Vi e realizoi projektin e veçantë nga thirrja e hapur publike për të gjitha organizatat joqeveritare në nivel komunal, me emërtimin “Grateful”, për rikthimin e memorialit historik e artistik të bërë gjatë vitit 1999, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje ndaj shteteve mike të Kosovës, tek Tuneli i Rrugës së Prishtinës.
“Grateful” ishte ndër projektet më të vështira për implementim, për shumë arsye: rreziku nga qarkullimi i shumë veturave për shkak të rrugës kryesore për vajtje-ardhje Gjilan-Prishtinë e më gjerë; muaji qershor si i tërë me mot të paqëndrueshëm; muaji korrik e gusht, si dy muajt me fluksin më të lartë të mërgimtarëve, ku nuk do të mund të bllokohej rruga pas konsultimeve të vazhdueshme me Policinë Rajonale të Gjilanit; vrazhdësia dhe lartësia e mureve për të bërë grafitët dhe pozicioni i vështirë për realizim pa mjete e vegla të posaçme pune; përpjekja për t’u bazuar në të gjitha fotografitë e arkivuara për ta ruajtur sa ma shumë origjinalitetin e memorialit të vitit 1999, por nuk kishte në dispozicion skica të plota të memorialit që ishte bërë në eufori e entuziazëm postçlirimtar, si dhe sfida për të bërë memorialin e vitit 1999 mbi memorialin e kthyer e të zbehur të vitit 2008, me disa intervenime të reja; dëshira e disa banorëve të lagjes për të shtuar edhe portrete e mbishkrime të reja, të cilat nuk përkonin me qëllimin final të kthimit të memorialit sa më origjinal, siç ishte në vitin 1999; pamundësia për të vendosur skele të ndërtimit, në dy anët e mureve të brendshme të tunelit nga mospajtimi i organeve të rendit për të bllokuar rrugën, qoftë edhe vetëm në një anë, për të vendosur skelet nga fillimi e deri në fund të murit në një anë; dozat e shumta të ngjyrës që kanë tejkaluar çdo pritshmëri dhe planifikim nga vrazhdësia e murit që absorbonte aq shumë ngjyrën etj. etj.
Të gjitha këto sfida u kaluan, nga një falënderim i veçantë për çdo shofer e shofere, kalimtarë të rastit, banorë të lagjes së Rrugës së Prishtinës, të cilët vazhdimisht i kanë përshëndetur, vlerësuar dhe inkurajuar artistët e vullnetaret, për punën e bërë, në kthimin e aq shumë emocioneve dhe ripërjetimin e ndjenjave të çlirimit të Gjilanit e të Kosovës në vitin 1999.
Gjilani e ka një vend ku mirëmbahet kujtesa kolektive e çlirimit, lirisë dhe entuziazmit menjëherë pas luftës. I ka grafitët brenda Tunelit të Rrugës së Prishtinës (trotuarit më të lartë në Gjilan, i njohur tashmë si “tunel”), të realizuara pas luftës, në vitin 1999, nga një grup artistësh dhe artdashësit, si Flamuri, Rolandi, Besniku etj., me mbështetjen e të gjithë banorëve të lagjes së Rrugës së Prishtinës, në dyja anët, duke mos harruar asnjëherë kontributin as edhe të atyre që në atë kohë dhuruan falas ngjyrat, sidomos mbahet në mend Fehmi Isufi me vëllain e tij, tek ish-shitorja Doni.
Qindra qytetarë, mbi tunel, në dyja anët, prapa dhe para mburojave prej metalit të tunelit, brenda tunelit, atëbotë, u ulën dhe qëndruan në këmbë, duke përshëndetur parakalimin e ushtrisë amerikane (KFOR-it) për çlirimin dhe lirinë e Kosovës në vitin 1999, si dhe me realizim të grafitëve që nderonin të gjitha shtetet mike të Kosovës, flamujt e shteteve përkatëse, mbishkrimet mirënjohëse për politikanët perëndimorë dhe udhëheqësit e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, NATO-s, UÇK-në, e kështu me radhë.
Në vitin e Deklaratës së Pavarësisë, 2008, ishte kthyer memoriali me disa shtojca të reja grafitësh, për së dyti, pas humbjes së ngjyrës me kalimin e kohës dhe një sërë faktorësh, falë njerëzve të vullnetit të mirë dhe komunitetit të lagjes. Edhe pas intervenimit të dytë, muralet u zbehën shumë e disa humbën krejtësisht. Varg e Vi e rikthen për së treti fizikisht memorialin përmes projektit “Grateful”, bashkë me renovimin shtesë e gri të mburojave të tunelit dhe para hyrjes, duke i pastruar muret dhe trotuarët e improvizuar në hyrje të tunelit nga Prishtina, me planifikimin e përurimit të memorialit më 24 shtator 2023, por që u anulua pas rënies heroike të policit kosovar në krye të detyrës, pas zhvillimeve në Zveçan të Kosovës, në shenjë nderimi dhe pikëllimi kombëtar.
Memoriali u financua nga: Komuna e Gjilanit-DKRS, Vali Ranch Resort & Congress Center , Rc Cola Kosova , Gzimi Center . Perde & Tepihë . Gjilan , Bujana Sweets & Lunch , SMART LIGHT-Gjilan , Viva La.