Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.
Kosova në Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian vlerësohet për disa përparime që ka bërë në fusha të ndryshme, por prej saj kërkohet më shumë punë dhe progres në zbatimin e reformave.
Kosova, po ashtu, vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Në raport theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.
Gjatë fjalimit, edhe Varhelyi tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave teksa sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporti kujton se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmend edhe takimin më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve.
Nga të dyja vendet kërkohet që t’i përmbushin të gjitha marrëveshjet e arritura më herët në dialog, ndërsa u kërkohet edhe angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre.
Serbisë i adresohen kritika për zvogëlimin e përafrimit të qëndrimeve të saj me politikën e jashtme të BE-së, sidomos në rastin e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat Serbia vazhdon t’i refuzojë.