Shkruan: Avni Rudaku
Vizitoj vazhdimisht fshatrat e Gjilanit e më gjerë. Në Vërbicë të Kmetocit, për të shumtën herë, shkoj nga Malisheva dhe vazhdimisht e shoh rrugën ndërlidhëse të pashtruar. Në vizitën e fundit, pashë shumë papastërti. Shumë mbeturina në male e kodra, buzë rrugëve. Ajo që gjej shpesh është vaska si hedhurinë në natyrë. Kur e gjej si burim uji për kafshët, ndonëse me dru e pëlqej më shumë, e mirëkuptoj blegtorin. Por kur e shoh aq shpesh të hedhur në natyrë, më irriton tejmase si në Vërbicë të Kmetocit dhe shumë mbeturina të tjera pranë varrezave të fshatit. E gjykoj ashpër qeverisjen lokale të Gjilanit, prej një kryetari të ri edhe në moshë dhe ende nuk ka zgjidhje të qëndrueshme për pastrimin dhe menaxhimin e mbeturinave në komunë. E kritikoj me plot zë qeverisjen lokale që nuk u bën zgjidhje banorëve për hudhjen e vaskave e guaskave të banjos, që nuk merren as për hekur dhe për asnjë profit tjetër. Duhet të bëhet menaxhim i duhur me reciklim, ripërdorim dhe reduktim. Duhet të rregullohet shumë më mirë ndarja e shportave me materiale të ndryshme nga Eco-Higjiena, e jo të mbetet një shportë për të gjitha llojet e mbeturinave. Duhet të licencohen transportuesit e mbeturinave dhe të gjobiten transportuesit shtëpiakë, me licencë e pa të, sa herë shkelin ligjet për mjedisin dhe shëndetin publik. Kushdo që rinovon banjon, e di sa e vështirë është zgjidhja për pajisjet e banjos, për t’i hedhur diku ku duhet. Menaxhimi i mbeturinave mund të bëhet me pak investim publik e privat, edhe biznes i jashtëzakonshëm. Kompanitë botërore dizajnojnë edhe atlete prej materialeve të riciklueshme. Shumë artistë bëjnë vepra madhore me to.
Komuna e Gjilanit vazhdon të jetë me pluhur dhe shumë mbeturina. Fatkeqësisht, ende nuk e ka zgjidhur problemin e qytetarëve kur rinovojnë banjot e tyre dhe hedhin vaskën edhe në male. E tmerrshme dhe primitive!