Të dielën zhvillojmë ndeshjen e xhiros së 8-të këtë edicion, ku do të takohen rivalët e qytetit FC DRITA – SC Gjilani.
Stadiumi “Sami Kelmendi” në Lipjan do të jetë arena e derbit gjilanas të zhvendosur, i cili do të zhvillohet vetëm me praninë e tifozëve vendas “Intelektualët”.
Në prag të ndeshjes për përgatitjet dhe pritshmëritë në konferencë për media foli kryetrajneri, Akis Vavalis dhe futbollisti, Blerim Krasniqi.
Vavalis theksoi rëndësinë e ndeshjes, të cilën e cilësoi të vështirë, por që shpreson që ta përmbyllin javën me fitoren e tretë.
“Po e mbyllim një javë garuese në derbi ndaj SC Gjilani. Jemi pas dy fitoreve, por nesër kemi një ndeshje të vështirë kundër SC Gjilanit, sepse në derbi nuk merren parasysh as përgatitjet fizike apo taktike.
Në ndeshje të tilla nuk duhet shumë përgatitje, por të japësh 100 apo 200% edhe pse kundërshtari ka pas një ditë më shumë pushim, por unë kam besim te djemtë. Kundërshtari ka bërë ndryshime dhe prurje të reja, por unë jam shumë optimist për nesër sepse të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë dhe do të japin maksimumin”, theksoi Vavalis.
Kurse, sulmuesi Blerim Krasniqi tha se derbi luhet e ‘luftohet’ për t’u fituar, gjersa shpreson t’i marrin tri pikë.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne sikur gjitha ndeshjet e tjera. Duhet të marrim maksimumin nga derbi. Derbi është një ndeshje që luftohet nga të dyja ekipet, do të japim gjithçka në fushë, të bëjmë maksimumin dhe t’i marrim tri pikë”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, trajneri Vavalis tha se pret mbështetjen e tifozëve, për çka fitorja eventualë do të jetë e tyre.
“Edhe pse ndeshja e nesërme do të luhet në një teren neutral, shpresoj shumë edhe në përkrahjen e tifozëve si na kanë mbështetur gjithmonë, sepse këto ndeshje luhen edhe për tifozë dhe sigurisht që edhe fitorja do t’u takojë atyre”, ka përfunduar Vavalis.
Vavalis theksoi se kanë pasur pak kohë për rikuperim, por shpresoj se nuk do të kemi mungesa për ndeshjen e nesërme.
Ndeshja FC DRITA – SC Gjilani zhvillohet nesër, e diel ora 15:00, në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.