Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Sot sikurse edhe javën e kaluar do të vazhdohet me procesin e paraqitjes së provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve.
Dëgjimi i dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar gjatë javës së kaluar është bërë seanca të mbyllura për publikun, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Dëshmitarja e mbrojtur e prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj të martën, të mërkurën dhe të enjten.
Sipas kalendarit të DhSK-së, seancat e tjera lidhur me këtë rast, janë caktuar më 17, 18, 19 dhe 20 prill.
Ndryshe, në seancën e 3 prillit 2023, u dha fjala hyrëse nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Po ashtu, në po atë seancë, pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Kurse, seanca e 4 prillit 2023 vazhdoi me fjalën hyrëse të mbrojtjes së Thaçit, Veselit dhe Selimit, si dhe deklaratat pa betim të këtyre të fundit.
Ndërkaq, në seancën e 5 prillit 2023 u dha fjala hyrëse e mbrojtjes së Krasniqit dhe ky i fundit tha deklaratën pa betim.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi