Mungesa e mentorëve, hapësirave të punës dhe mossistemimi i duhur e me kohë, janë disa prej problemeve që po përballen specializantët e rinj, që në muajt e fundit, u futën në sistemin shëndetësor të Kosovës.Problemi ka filluar që në vitin 2016, kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.
Në mënyrë që ta plotësojë numrin e specializantëve për vitet e humbura, Ministria e Shëndetësisë më 30 korrik të vitit 2020 hapi konkursin për të pranuar rreth 1.500 specializantë. Deri tash janë pranuar rreth 1.300 të tillë.Largimi i mjekëve nga Kosova si dhe mosha mesatare e mjekëve, që thuhet se është mbi 50 vjeç, ka alarmuar autoritetet shëndetësore për nevojën e shtimit të numrit të mjekëve.Përfaqësues nga Oda e Mjekëve të Kosovës thonë se institucionet kanë dështuar me procesin e pranimit të specializantëve, sepse sipas tyre, nuk ka pasur koordinim as mes institucioneve shëndetësore e as odave që përfaqësojnë punonjësit e këtij sektori.Radio Evropa e Lirë ka arritur që të flasë me njërin nga specializantët në Klinikën e Stomatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare, i cili foli në kushte anonimiteti dhe tregoi për problemet që po ballafaqohet, pasi Ministria e Shëndetësisë, bashkë me udhëheqësit e klinikave, nuk kanë paraparë në detaje mënyrën e sistemimit të specializantëve.
“Disa specializantë kanë probleme sepse ende nuk e kanë gjetur mentorin. Disa të tjerë nuk kanë hapësirë pune edhe pse i kanë të nënshkruar kontratat për të filluar shkollimin specialistik”, ka thënë ai, pa dashur t’i përmendet emri.Sipas tij, ka shumë specializantë që ende nuk kanë nisur praktikën sepse “nuk ka vend as në kliniken bazë dhe momentalisht janë duke qëndruar në shtëpi derisa të bëhet një zgjidhje”.Klinikat e ngarkuara me specializantëSpecializimi i mjekëve bëhet atëherë kur një student i mjekësisë mbaron fakultetin, mirëpo duhet të specializohet në një drejtim të caktuar.Drejtori i Klinikës së Stomatologjisë, Shefqet Mrasori, thotë se të gjithë specializantët e pranuar do të sistemohen, edhe pse siç thotë ai, klinika është e mbingarkuar me numër të madh të specializantëve.“Ne jemi të vetëdijshëm se klinika është e ngarkuar me mbi 100 specializantë”, thotë Mrasori.
Mrasori thekson se në bazë të mundësive dhe gjendjes me pandeminë, do të bëhen edhe oraret për specializantët.“Kemi paraparë që specializantët të jenë së paku dy herë në javë brenda institucionit, një herë ose dy herë në javë të realizohen ligjëratat online dhe t’u jepen [detyra] punë seminari. Kur kandidatët të jenë në sallën e operacioneve, të jenë sa më aktivë edhe mos të lihen pas dore”, shtoi Mrasori.Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, konsideron se nuk janë plotësuar kushtet elementare për hapjen e një konkursi të tillë për rekrutimin e specializantëve.
“Në momentin kur ne nuk dimë apo bëjmë konkurse pa pasur një planifikim se në çfarë lëmi na duhen specializantë, se sa kemi mentorë, arrijmë në një situatë siç e kemi sot. Është shumë e vërtetë se një pjesë e mirë e specializantëve vetëm i kanë dërguar dhe për shkak të numrit të madh, janë duke bërë punë dytësore dhe nuk kanë mundësi ta bëjnë shkollimin, i cili është i garantuar me ligj”, thekson Sejdiu.Sejdiu thotë se procesi apo konkursi për specializantë nuk është transparent dhe sipas tij, ende nuk dihet se sa është numri përfundimtar i personave që do të pranohen në këtë proces.
Megjithatë, ai shprehet se nevoja për specializantë ka qenë evidente.“Ka pasur nevojë për specializime të koordinuara në bazë të nevojës dhe potencialit për zhvillimin e rregullt të këtyre mjekëve të rinj.
Unë e them me përgjegjësi se është një katrahurë dhe kush do të pësojë nga kjo janë pikërisht mjekët e rinj. Unë prej se paku katër apo pesë specializantëve të rinj, të cilët në të vërtetë e kanë marr specializimin, kam marr konfirmimin se ata janë duke shikuar të largohen sepse në këto kushte, ata nuk mund të përfitojnë asgjë”, tha Sejdiu.Sipas të dhënave nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, vetëm në vitin 2020 nga Kosova kanë ikur mbi 100 mjekë.
Në bazë të një hulumtimi të bërë nga kjo federatë, 90 për qind e mjekëve të rinj janë deklaruar se po të kishin mundësi, do të largoheshin nga Kosova për të punuar në shtete të tjera.Shahini: Çdo vit duhet të hapet konkurs për specializantëNë korrik të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë themeloi Bordin për Shkollim Specialistik, bord ky me mandat trevjeçar. Kryesuesi i këtij bordi, Labinot Shahini, tha për Radion Evropa e Lirë, se janë në dijeni për numrin e madh të pranimit të specializantëve, por siç u shpreh ai, kjo “ka qenë nevojë e domosdoshme”.“E dimë që është numri madh. Shumë më lehtë do të ishte që çdo vit të pranohen nga 200 ose 250, dhe do të ishte shumë më e lehtë. Por, a e kemi pasur atë komoditetin të presim çdo vit nga 250 dhe t’i lëmë nga 1.000 jashtë? Nuk e kemi pasur komoditetin sepse nuk është faji jonë. E vetmja mënyrë ka qenë kjo sepse është e drejtë elementare e secilit mjek”, tha Shahini.“Tash duhet të punohet në ndryshimin e udhëzimit administrativ që të mos ketë më pengesa për specializim. Duhet të bëhet çdo vit, me ligj, që ministria të shpallë konkurs për shkollim specialistik”, shtoi ai.Shahini ka mohuar faktin se ndonjë nga specializantët e pranuar ka mbetur pa mentor.“Tre kandidatë mund t’i ketë një specialist [mentor] i cili i plotëson kriteret, por në rastet kur kemi numër më të madh të specializantëve, atëherë mundemi me rekomandime te komitetit specialistik, bordi e miraton edhe më tepër se tre”, ka shpjeguar Shahini.Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj më 15 mars ka miratuar vendimin për pagesën e specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 mars deri më datë 31 tetor, 2021.Pagesa për këta specializantë është rreth 500 euro.