Sot do të bëhet përpjekja e 23’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. E propozuara e Vetëvendosjes për Kryetare Kuvendi, vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu. Edhe sot, pritet të vazhdohet përpjekja për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e saj, në mënyrë të fshehtë.
Deputetët do të mblidhen sërish sot në 11:00, në një përpjekje të re për ta konstituar Kuvendin. Deri tani, nuk ka ndonjë sinjal se në seancën e nesërme mund të ndryshojë diçka.
Seanca e së martës, ashtu sikurse edhe të kaluarat, dështoi meqë nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë. PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma, nuk kanë propozuar deputetë për anëtarë të këtij komisioni.
Në mungesë të kuorumit, Kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën.
E propozuara për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas dështimit të seancë të së martës, ka insistuar se duhet të vazhdohet me votimin e fshehtë për zgjedhjen e saj.
“Nuk e di edhe sa herë duhet ta paraqesim qëndrimin e VV-së. Siç e kemi thënë në vazhdimësi të drejtën për të propozuar e ka partia e parë. Ajo çfarë duhet është që deputetë të marrin pjesë në votim, të votojnë komisionin për votimin e fshehtë, qoftë për, kundër apo abstenim por jo të mos marrin pjesë në votim. Këtu shtrohet pyetja se për çfarë po vijnë. Pra është e rëndësishme që ky komision të formohet për ta bërë votimin e fshehtë. Po ashtu siç e dini tashmë ka një lëndë kushtetuese, duke pasë parasysh urgjencën shpresojmë që Kushtetuesja ta thotë sa më parë fjalën për këtë. Ne i kemi dërguar komentet tona”, ka deklaruar Haxhiu.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga PDK-ja dhe AAK-ja.