Mbi katër mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin i cili ka filluar të enjten në Suharekë, për shfuqizimin e ligjit për lojërat e fatit.
Interesim të madh për ta nënshkruar këtë peticion, kanë shprehur qytetarët edhe të premten.
Përmes tij, ata shpresojnë që kërkesa e tyre të arrihet deri në mbylljen e të gjitha lokaleve për lojërat e fatit.
Qytetarët kërkojnë që edhe institucionet t’i marrin parasysh nënshkrimet e tyre dhe ta mbështesin këtë iniciativë, derisa kontrolle të objekteve të tilla ka pasur nga Policia e Kosovës.
Për të mbledhur sa më shumë nënshkrime, Komuna e Suharekës ka vendosur tri tenda në qytet,dhe disa nëpër fshatra.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, thotë se kjo nismë duhet të rezultojë me mbylljen e lokaleve për lojërat e fatit.
Muharremaj theksoi se aksioni për mbledhjen e nënshkrimeve do të vazhdojë, derisa të mblidhen 10 mijë nënshkrime.
Derisa, në Komunën e Lipjanit janë duke u bërë përgatitjet e fundit që të organizohet një peticion i tillë.
Iniciativa për peticion për shfuqizimin e ligjit për lojërat e fatit, u mor pas vrasjeve të dyshimta që ndodhën në objektet e lojërave të fatit të dielën në Suharekë dhe të mërkurën në Lipjan.