Motër e vëlla nga fshati Kosinë në komunën e Ferizajt, po diskriminohen vazhdimisht nëpër konkurset e sistemit arsimor nga ana e zyrtarëve të kësaj komune.
Gjatë shtatorit të kaluar, Liron e Lirona Krasniqi kishin hapur rast edhe në inspektoratin e punës, me ç’rast drejtoria e këtushme e arsimit u gjobit në shumë prej 3800 EUR, për shkelje ligjore gjatë punësimit në sistemin publik.
Lirona, studente e diplomuar nga Kosina, kishte apikuar për punë si mësuese klasore në disa shkolla, mirëpo në vend të saj, drejtoria e arsimit të Ferizajt (DAK) kishte punësuar një person të pakualifikuar:
“Që 5 vite punon pa diplomë, ndërsa që nga viti shkollor 2020 – 2021 – 2022 punon në shkollën “Bilall Shala”, pa asnjë dokument zyrtar, dmth. as letërnjoftim nuk ka pasë në shkollë. Pasi që e kemi zbulu këtë rast që ka ardhë pa diplomë, edhe ka ardhë pa konkurs, vetëm e kanë pru prej fshatit Varosh, unë kam bërë ankesë pranë inspektoriatit të Punës ku inspektorati ka vendos që të hapet konkursi, pasi është mbyllur konkursi unë kam bë kërkesë për qasje në dokumente publike ku kjo kërkesë fillimisht më është refuzu mirëpo pas refuzimit kam paraqitur ankesën tek Agjensioni për Informim dhe Privatësi, ku ata brenda 7 dite më kanë kthyer përgjigje që më lejohet qasja në dokumente publike. Pas shpalljes së rezultateve, prapë del që në këtë konkurs është pranuar i njëjti person, e cila ka punuar qe 5 vite pa diplomë“.
Lirona, e cila ka diplomuar gjatë verës së sivjetme, shprehet shumë e shqetësuar me të kuptuar se nepotizimi ështe çelësi i punësimit në sektorin publik të Ferizajt,
“Është ndjenjë shumë e keqe kur shumë persona punojnë pa diploma dhe nuk vlerësohet diploma jote edhe pse e përfundon me nota të larta, në kohë rekord atëherë si mund të ndihet njeri.”
Në anën tjetër, Liron Krasniqi, student i nivelit master në filozofi, thotë se zyrtarët komunal të Ferizajt janë aq diskriminues ndaj familjes së tij, saqë këtë e thonë edhe hapur në Komunë.
“Pasi hapet konkursi, prapë po përgatitet i njëjti skenar si ndaj motrës ku Selvete Bajraktari-Bytyqi thotë që nuk kena ma pa Liron Krasniqi nëpër komunë. Ky grup i njerëzve në krye me Agim Aliun, Afrim Llabjanin, Selvete Bajraktari-Bytyqi, Evlid Ibishi, Bajram Rexhepi – Drejtor i Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” ky grup i njerëzve që e bëjnë këtë mbrojte ndaj tij prapë e përgatisin të njejtën gjë. I informuar është edhe Kryetari Agim Aliu, po prapë nuk i intereson e kam edhe në incizim ku thotë “ti zotni merru veç me letra” unë jam marrë me letra, jam marrë me krejt, dhe prapë i kanë përsëritë të njëjtat gjëra, si ndaj meje edhe ndaj motrës”
Lidhur me pretendimet e Liron dhe Lirona Krasniqit, në emër të DKA-së është përgjigjur shkurt zyrtari Evlid Ibishi:
“Znj. A.S. është punësuar pas përfundimit të procedurave të konkursit me numër të protokolit 1246, të datës 20.09.2021, , e cila i ka plotësuar kushtet ligjore të punësimit, çështja e gjobës është në procedurë të ankesave, përgjigjen për pyetjen nr 5. e keni në fillim, ndërsa në lidhje me pyetjen nr 6 për orët në Gjimnaz, është shpallur konkursi me datë 12.10.2021, me numër të protokolit 1304.”insajderi.org