Pas një ngritje të theksuar të çmimeve të naftës, aktualisht ka një stabilizim të tyre, mirëpo në vendin tonë po ndodh e kundërta, ku për çdo ditë, për një litër vlera ishte ngritur deri në 10 cent.
Sipas Oil Price, një barrel naftë e papërpunuar po tregtohet me 114 dollarë nga 124 dollarë që ishte një ditë më parë. Po ashtu, nafta WTI po tregtohet me 110 dollarë kundrejt 119 dollarë për barrel.
Ditë më parë, naftëtarët në Kosovë kishin paralajmëruar se çmimi i naftës për një litër do të arrin në 2 euro, shkruan Telegrafi.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari gjatë një konference për medie ka thënë se nuk ka bllokadë të furnizimit me naftë në tregun e Kosovës.
Hajdari gjithashtu ka theksuar se së bashku me Autoritetin e Konkurrencës janë duke i identifikuar marrëveshjet e tregtarëve, për manipulime të mundshme me produkte në treg.
“Ne nuk mund t’i kontrollojmë çmimet, por mund të marrim masa. Ne kemi marr masa të ndryshme, duke filluar nga nafta. Mund të këtë edhe devijime të çmimit në treg, ku tregtohen furnizohen ndoshta dje në Durrës, kurse sot caktojnë çmimin sipas bursës”, ka theksuar Hajdari.