Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur.
“Njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”.
Tutje në njoftim thuhet se IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësoj dhe hetoj reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndërsa, nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, ku një person i cili dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar me automjet dhe kalimtarët. Ai më pas ka ndërruar jetë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, ndërsa njësitë policore kanë reaguar menjëherë për ta vënë situatën nën kontroll.
“Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, tha Borovci.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore si dhe Prokurori për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar inicimin e një hetimi penal.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Borovci.
Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Hetimet janë në vazhdim për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.