Policia e Kosovës (PK) njofton se po e heton rastin e vdekjes së një foshnjeje në Prishtinë, e cila është raportuar se ka lindur në banesë e më pas është dërguar në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës (QKUK).
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se foshnja është pranuar në Klinikën e Gjinekologjisë më 16 tetor, rreth orës 06:15, ndërsa kishte lindur një ditë më parë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Bëhet e ditur se trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “hetim mbi vdekjen”.
“Nga Klinika e Gjinekologjisë është pranuar informata për një vdekje të një foshnje e cila ishte pranuar në klinikë më datë 16.10.2023 rreth orës 06:15. Lidhur me rastin është intervistuar dëshmitari mashkull kosovar i cili ka deklaruar se më datë 15.10.2023 rreth orës 21:30 motra e tij e ka lindur foshnjën në banesën e saj dhe më pas është dërguar në QKUK. Në konsultim me prokurorin kujdestar trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi