Ish-kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë Agim Veliu, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili në emisionin Rubikon në Klan Kosova tha se do t’ua mbyll derën atyre që s’kanë më çka t’i japin kësaj partie.
Veliu tha se Abdixhiku që hyri nga dritarja në LDK.
Ai kërkoi përgjegjësi nga i pari i Lidhjes Demokratike për humbjen në Podujevë në zgjedhjet e nëntorit.
“Në vend se të marr përgjegjësi dhe bashkë me kandidatin e tij të kërkojnë falje për humbje në garë për Podujevën, Lumir Abdixhiku, që hyri nga dritarja në LDK, i paska marr çelësat e partisë që t’ua mbyllë derën e shtëpisë atyre që e ndërtuan dhe me sakrificë e mbajtën dhe e ngritën për 30 vjet”.
Agim Veliu theksoi se Lumir Abdixhiku është katapultuar në këtë pozitë.
“Autokratit të katapultuar në krye të partisë, që paska kërcënuar me mbyllje dyersh e diferencime, ia bëj me dije se është anëtarësia e LDK-së ajo që vendos për vendin e secilit në parti dhe jo ai me vendime kundërstatutare”.
Shkrimi plotë:
Në vend se të marr përgjegjësi dhe bashkë me kandidatin e tij të kërkojnë falje për humbje në garë për Podujevën, Lumir Abdixhiku, që hyri nga dritarja në LDK, i paska marr çelësat e partisë që t’ua mbyllë derën e shtëpisë atyre që e ndërtuan dhe me sakrificë e mbajtën dhe e ngritën për 30 vjet.
Autokratit të katapultuar në krye të partisë, që paska kërcënuar me mbyllje dyersh e diferencime, ia bëj me dije se është anëtarësia e LDK-së ajo që vendos për vendin e secilit në parti dhe jo ai me vendime kundërstatutare.
Heshtja e deritashme nuk do të thotë se unë si kryetar i Degës së LDK-së do të dorëzohem përballë ndërhyrjeve kundërligjore dhe kundërstatutare të Lumirit, në degën e Podujevës.
Lokomotivisti Abdixhiku paska thënë se nuk do të ketë kthim mbrapa të trenit, të cilin ai tashmë e konsideron pronë të tij.
Këtë dëshmoi në përvjetorin e 32-të të LDK-së, ku të pranishmët në sallë, i konsideroi si vagonët e tij.
“Unë dhe ju”. Kështu iu drejtua Lumiri “admiruesve” të tij në disa raste.
Në 32 vjetorin e themelimit të LDK-së ai shkarazi përmendi kontributin e themeluesve të saj.
Më pastaj “lideri” i ri ishte përkujdesur ta ndajë LDK-në në katër dekada-periudha.
Në podiumin me logon e LDK-së, pa ngjyrat e saj identifikuese, “lideri” u tregoi ndjekësve të tij se tash po fillon dekada e tij në parti dhe ai mund të ndërrojë jo veç ngjyrat, por edhe logon e partisë.
“Lideri”, që po shpërfaqte hapur tiparet narcisoide në formë çrregullimi, rrahte gjoks duke pësëritur refrenin: “Unë dhe ju…”
Lumiri i vogël, i katapultuar në vend të madh, ndjekësve të ekzaltuar harroi t’u thotë: “S’ka rëndësi nëse deri dje ua kam sharë partinë, liderët e veprimtarët. Sot jeni kopeja ime. Më ndiqni mua, shpëtimtarin tuaj”.
Kërkoi ta ndjekim lokomotivën që ai drejton, pasi e di mirë se në cilët binarë synon ta çojë për të realizuar ëndrrën e tij dhe të atyre që ia dhanë për mision ta bëjë këtë.
Lumirit, që tinëzisht hyri në LDK dhe luan rolin e gardianit me çelësa në dorë, i them se je tepër i vogël t’ua mbyllësh dyert gardianëve të vërtetë që e ndërtuan LDK-në e madhe.
LDK nuk është një lodër që për fatin e saj të vendosë një tinejxher politik.
Prandaj, do të dështojë edhe misioni yt që trenin e LDK-së ta shndërrosh në një vagon, të cilin synon t’ia bashkangjesësh lokomotivës së kuqe.