Kryetari i degës së LDK-së, njëherësh nënkryetari në nivel qëndror, Agim Veliu ka thënë se Kosova duhet të bëhet një vend normal ku nuk duhet të kesh kryeministrin dajë për t’u punësuar, duke iu referuar kështu zhvillimeve të fundit, transmeton Gazeta Metro.
Këto deklarata ai i ka bërë në 29 vjetorin e themelimit të kësaj partie në Podujevë, ku morën pjesë përfaqësues të shumtë, duke përfshirë edhe ish-presidentin, Fatmir Sejdiu.
Me këtë rast, kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka folur edhe për punësimet partiake që sipas tij, po bëhen nga administrata aktuale e Kosovës.
“Sot kur po shënojmë 29 vjetorin e themelimit, ndonëse në liri dhe pavarësi, nuk mund të themi se gjendja është e mirë, madje është përkeqësuar. Kosova gjendet një izolim ndërkombëtarë, kufijtë e saj diskutohen nëpër tryeza të hapura dhe të mbyllura. Korrupsioni dhe nepotizmi dy prej sëmundjeve më të rënda të një administrate shtetërore, kanë arritur në nivele të papara”, është shprehur Veliu.
Sipas tij, tani është koha për veprim, pasi që dëshpërimi siç thotë i pari i Podujevës, ka prekur fundin. Thotë se LDK është e vetmja parti e cila e ngritë Kosovën në një vend normal.
“LDK është forca e vetme që mund ta ngritë Kosovën në një shtet normal ekonomikisht të zhvilluar, me shëndetësi e arsim cilësor. Ta bëjmë Kosovën vend normal, kur nuk duhet ta kesh kryeministrin dajë për të gjetur një vend pune në administratë shtetërore a ndërmarrje publike. Kosova ka nevojë për përtërije jo vetëm figurave politike, por edhe konceptesh politike”, ka thënë ai.
Veliu në fjalim përpara shumë të pranishmëve ka shtuar se LDK do ta tregojë fuqinë e vetë edhe në nivel vendi.