Prokuroria e Ferizajt ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e 30-vjeçarit Gazmend Hyseni në Ferizaj, për të cilën dyshohet se dorasi është Qëndrim Januzi, vëllai i reperit Buta.
Njoftimi i plotë
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me datë 28 Maj 2022, rreth orës 00:53 në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, tek marketi “Euro Market” kishte të shtëna me armë zjarri dhe sipas informacioneve të para dyshohet se personi me inicialet Q.J., ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G.H., i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Motivet lidhur me këtë ngjarje ende nuk dihen, ndërsa, i dyshuari “Q.J “ me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin për veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kurse, trupi i pa jetë i viktimës, me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.