Kosova ka humbur edhe një shans të artë për një projekt të madh financiar nga Bashkimi Evropian. Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë bërë përfituese të një programi prej gati 7.5 miliardë euro. Bëhet fjalë për “Europa Digjitale”, një projekt ky shumë i rëndësishëm për bizneset dhe institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor ku nuk bën pjesë Kosova.
Me firmosjen e kësaj marrëveshjeje sot në Bruksel qytetarët, bizneset dhe institucionet publike e vendeve të rajonit që morën pjesë në këtë takim, do të kenë mundësi të aplikojnë në programin e financuar nga Bashkimi Evropian, shkruan Paparaci.com.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu u shpreh e lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, duke u shprehur se agjenda digjitale përbën një ndër shtyllat kryesore të Tregut Rajonal.
Kosova nuk është pjesë e këtij projekti, pikërisht në kohën kur vendet e Bashkimit Evropian kanë vendosur sanksione ndaj vendit për shkak të tensioneve në veri të Kosovës – të cilat janë përcjellë me thirrje të vazhdueshme për deeskalim, por të padëgjuara nga liderët kosovarë.
Pikërisht në kohën kur jo vetëm Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se do të vendosin masa ndaj Kosovës, vendi po numëron dështimet edhe në të bërit pjesë e agjendave të rëndësishme për integrim në strukturat evropiane, një prej tyre ishte edhe “Europa Digjitale”.
“Gjatë Dialogut të parë Rregullator theksova sfidën e radhës për uljen e tarifave të roaming-ut ndërmjet BE-së dhe BP- së. Që nga 1 tetori, presim një ulje mesatare rajonale me 30% të kostos së të dhënave gjatë roaming” tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, në takimin e Dialogut Rregullator BE-Ballkani Perëndimor të organizuar nga Komisioni Evropian sot në Bruksel.
Takimi mblodhi ministra nga Ballkani Perëndimor përgjegjës për Komunikimin dhe Agjendat Digjitale, zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian, si dhe përfaqësues të organeve dhe agjencive rregullatore të telekomunikacionit të Ballkanit Perëndimor. Përveç znj. Bregu, fjalën e hapjes e mbajti Roberto Viola, Drejtor i Përgjithshëm në DG CONNECT të BE-së; Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm në DG NEAR të BE-së; dhe Natalia Aristimuño Pérez, Drejtoreshë në DG DIGIT të BE-së.
“Ne po mblidhemi një ditë pas konferencës së suksesshme të nivelit të lartë, për sigurinë kibernetike– duke bërë thirrje për një integrim më sistematik të rajonit tonë në përpjekjet e përgjithshme kibernetike të BE-së. Këto ditë intensive mbi sigurinë kibernetike dhe dialogun rregullator midis rajonit tonë dhe BE-së mbi agjendat e transformimit digjital, shpresojmë që së shpejti të bëhen rituali ynë i zakonshëm. Dialogu i sotëm mund dhe duhet të projektojë disa nga rrugët, politikat, kornizat, programet konkrete digjitale – në të cilat rajoni mund të integrohet me përfitime konkrete përpara anëtarësimit. RCC është gati të jetë platforma për të formësuar këtë vizion të guximshëm dhe progresiv të integrimit, duke e sjellë rajonin tonë më afër BE-së. Vetëm një dialog i fortë i drejtuar nga kërkesa që orientohen nga vizioni i qartë i BE-së për rrugë të hapura për integrim të përshpejtuar dhe pragmatizëm të fortë që ndihmon në vlerësimin e nevojave dhe sfidave tona rregullatore – mund të sjellë rezultate të qëndrueshme”, përfundoi Bregu.
Mesatarisht, 72.5% e familjeve të BP- së kanë akses në rrjetet fikse me brez të gjerë që ofronin shpejtësi më të larta se 30 Mbps, krahasuar me 90% në BE. Për më tepër, vetëm 35% e qytetarëve të BP- së zotërojnë të paktën aftësi bazë digjitale ndërsa në BE mesatarja është gati 54%. Vetëm 3% e ndërmarrjeve në rajonin e BP përdorën të paktën një teknologji të inteligjencës artificiale, ndërsa në BE kjo është gati tre herë më shumë, dhe përdorimi i teknologjive digjitale nga SME-të në BP mbetet dukshëm nën mesataren e BE-së. Plani i ardhshëm i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili duhet të përfshijë integrimin gradual në tregun e vetëm digjital dhe rritjen e ndihmës financiare, mund të jetë shtytësi kryesor drejt dialogut dhe bashkëpunimit me BE-në. /Paparaci.com/