Radiologjia: e domosdoshme për të gjithë, por jo për radiologun
Njoftim për mbylljen e ordinancës radiologjike CLINIX
Pas gati nëntë vitesh pune të pandërprerë, përkushtimi profesional dhe shërbimi ndaj pacientëve, ju njoftojmë se ordinanca jonë radiologjike do të ndërpresë aktivitetin e saj. Ky vendim nuk është marrë lehtë dhe as nuk përfaqëson një zgjedhje të dëshiruar, por është pasojë e një realiteti që e ka bërë të pamundur vazhdimin e punës në këtë formë.
Radiologjia është baza e mjekësisë moderne. Pa imazh nuk ka diagnozë të saktë, pa diagnozë nuk ka trajtim dhe pa trajtim nuk ka shpresë. Çdo profesionist shëndetësor varet nga radiologjia, çdo vendim klinik mbështetet mbi një imazh. E megjithatë, paradoksi më i dhimbshëm është ky: radiologjia është e domosdoshme për të gjithë, por radiologu vetë po bëhet i panevojshëm.
Kjo ordinancë u ndërtua me vite pune, sakrifice dhe investime të mëdha e të vazhdueshme në aparatura, infrastrukturë dhe standarde profesionale. Çdo shërbim është ofruar me përgjegjësi, çdo pacient është trajtuar me respekt dhe çdo rregull është respektuar. Megjithatë, realiteti ekonomik i këtij drejtimi e bëri të pamundur mbijetesën.
Mbyllja e kësaj ordinance nuk është thjesht një vendim biznesi. Është një dhimbje e thellë personale. Janë vite të tëra pa orar, net pa gjumë, ankth për çdo shpenzim dhe përgjegjësi për çdo pacient. Të mbyllësh një biznes që e ke ndërtuar me zemër është si të pranosh se një pjesë e jetës sate po shuhet bashkë me të.
Radiologjia, megjithëse thelbësore për çdo diagnozë të saktë, është shndërruar gradualisht në një mjet përfitimi. Çdo profesionist shëndetësor ka nevojë për imazh, por gjithnjë e më shpesh imazhi shihet si diçka që mund të merret, të përvetësohet dhe të shitet. Aparaturat blihen, shërbimet ofrohen, ndërsa roli i radiologut zbehet.
Në këtë kontekst lind pyetja që dhemb më shumë: ku mbetet puna e radiologut, nëse të gjithë pajisen me aparatura radiologjike? Kush mban përgjegjësinë për interpretimin, për rrezikun dhe për pasojat? Apo radiologjia po reduktohet thjesht në një makinë që prodhon imazhe, pa peshë profesionale dhe pa dinjitet?
Radiologjia nuk është vetëm teknologji. Është dije, përvojë dhe përgjegjësi e përditshme, shpesh në ambient jonizues, me rrezik real për shëndetin. Dhe megjithatë, kjo punë vlerësohet minimalisht, ndërkohë që kërkon sakrifica të mëdha dhe investime të pandërprera.
Përballë këtij realiteti, largimi nga ky profesion bëhet i pashmangshëm. Dhe për këtë arsye, me dhimbje por edhe me ndershmëri, nuk mund ta këshilloj asnjë të ri që ta zgjedhë radiologjinë si drejtim jete, jo sepse nuk është e rëndësishme, por sepse sot nuk i ofron më radiologut hapësirën që meriton.
Nëse kjo rrugë vazhdon, ndoshta shumë shpejt secili do t’i ketë aparaturat radiologjike në shtëpi, bashkë me pajisjet bazike mjekësore, ndërsa Intelegjenca Artificiale do të jetë radiologu juaj personal. Radiologu i vërtetë do të mbetet vetëm si kujtim i një profesioni që ishte jetik për të gjithë, por që u la të mbyllej në heshtje.
Në fund, shprehim falënderimin tonë më të sinqertë për të gjithë mijëra pacientë që na besuan ndër vite. Faleminderit për besimin, respektin dhe fjalët e mira. Falënderim i veçantë për të gjithë mjekët dhe kolegët me të cilët kemi bashkëpunuar, ata që e kuptuan rëndësinë e radiologjisë dhe respektuan profesionin. Pa ju, kjo rrugë – sado e vështirë dhe e dhimbshme në përfundim – nuk do të kishte pasur kuptim










