Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, e ka larguar nga puna shoferin e tij, Nuhi Imerin, me të cilin punonte që nga paslufta. Imerit i është ndërprerë marëdhënia e punës vetëm një ditë pas zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës, raporton Express.
Gazeta Express ka siguruar vendimin për shkëputjen e kontratës së Imerit me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Vendimi është nënshkruar më 15 mars, derisa në të nuk shkruhet arsyeja e shkëputjes së kontratës.
“Z.Nuhi Imerit, i ndërpritet marrëdhënia e punës si vozitës i Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z.Agim Veliu. Obligohet DRNJ e Ministrisë së Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij Vendimi”, thuhet në vendim.
Ndryshe, në media është raportuar se Veliu e ka shkarkuar Imerin, shkaku që ky i fundit ka lobuar që për pozitën e kreut të LDK’së të votohet Lumir Abdixhiku.
Gazeta Express ka provuar që të kontaktojë edhe me vetë Imerin për të mësuar arsyen pse i është ndërprerë marëdhënia e punës, por i njëjti nuk iu është përgjigjur thirrjeve.