Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe dhe ka vendosur që ta hedhë poshtë vendimin e KQZ-së për mosceritfikimin e këtij subjekti politik.
Pas këtij vendimi, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për teve1. ka thënë se para caktimit të kësaj çështjeje në rendin e ditës, ata do të presin përfundimin e procedurave ligjore.
“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka deklaruar ai.
Ndryshe në vendimin e lëshuar nga PZAP-ja thuhet se është anuluar njoftimi i KQZ-së nën arsyetimin se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat shoqëruese të KQZ-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 për shkak të “thirrjeve nacionaliste” të kryetarit të kësaj liste, Zllatan Ellek, gjatë prezantimit të listës zgjedhore.
Megjithatë, për këtë moscertifikim kanë reaguar ambasada e SHBA-së, ambasadori gjerman e ai britanik si dhe BE-ja duke kërkuar që ky vendim mos të politizohet.