Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë vendosur gurthemelin e çerdhes së re në Rekë-Vatë të Kaçanikut.
Kryeministri Kurti përgëzoi qytetarët e Kaçanikut për gurthemelin e kësaj çerdheje, kontrata e së cilës u nënshkrua më 18 nëntor të këtij viti dhe është investim i plotë i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që arrin shifrën prej mbi 1 milion euro.
“Do të jetë 740 metra katrorë për 40 fëmijë dhe në këtë mënyrë fëmijët do të marrin edukim të hershëm, ndërkaq prindërit do të kenë më shumë kohë për vete, sidomos nënat, po në të njëjtën kohë edhe fëmijët kur të shkojnë në shkollë do të jenë shumë më të përgatitur”, tha kryeministri Kurti.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se gjatë këtij mandati qeverisës, në Kaçanik vetëm nga MAShTI është investuar mbi 2,6 milionë euro, përfshirë ndërtimin e kësaj çerdhe, shkollës në Doganaj dhe pajisjes së shkollave me kabinete, laboratore dhe pajisje për edukatën fizike.
“Deri më tani, Kaçaniku ka pasur një çerdhe dhe kjo e dyta pritet të përfundojë brenda një viti, në ndërkohë që është në proces edhe një çerdhe tjetër, për të cilën tashmë veç se kanë filluar të gjitha procedurat administrative”, shtoi më tej ajo.
Tutje, kryeministri Kurti tregoi se Qeveria është përqendruar në ndërtimin e çerdheve anë e mbanë Kosovës, ku me investim prej mbi 37 milionë euro gjithsej, numri i fëmijëve që shkojnë në çerdhe në Kosovë është rritur për rreth 33 për qind.
“Jemi të përqendruar anë e mbanë Kosovës, përafërsisht rreth 65 çerdhe deri më tani. Është një investim i Qeverisë sonë prej mbi 37 milionë euro gjithsej, me ç’rast duhet theksuar që për këto katër vite numri i fëmijëve që shkojnë në çerdhe në Kosovë është rritë për rreth 33 për qind, prej rreth 5500 fëmijë sa kanë qenë më herët, po i afrohemi numrit 7500 fëmijë”, përmbylli kryeministri Kurti.
Ai uroi qytetarët e Komunës së Kaçanikut, kryetarin e saj Besim Ilazin, ministren Nagavci, zëvendësministrat Jeton Raka e Arsim Ademi, për këtë të arritur të përbashkët.