Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), ka njoftuar se që nga orët e hershme të mëngjesit në vendin tonë kanë filluar reshje të dendura të shiut, fillimisht në pjesën perëndimore të Kosovës, duke shkaktuar formimin e shpejtë të rrëkeve në atë zonë dhe shkaktimin e vërshimeve të shpejta.
iHK njofton se pritet intensifikim i reshjeve, fillimisht në këtë zonë e pastaj edhe në viset tjera të Kosovës.
Sipas njoftimit, intensiteti i reshjeve në disa zona do të jetë rreth 25-40 mm/3h, ku si pasojë pritet edhe ngritje e niveleve nëpër rrjedhat lumore dhe dalje nga shtretërit e tyre në disa segmente lumore si dhe dëme të mundshme.
Gjithashtu instituti ka njoftuar edhe me nivelet aktuale në lumenjtë kryesorë të vendit.
“Drini Bardhe ne Gjonaj – niveli në ora 12.00 arrin në 321 cm, Bistrica Pejes në Grykë – niveli në ora 12.00 arrin në 135 cm, Lepenci ne Hanin e Elezit- niveli në ora 12.00 arrin në 162 cm, Drini i Bardhe në Kepuz – niveli në ora 12.00 arrin në 213 cm, Sitnica në Nedakoc – niveli në ora 12.00 arrin në169 cm, Ibri ne Leposaviq- niveli në ora 12.00 arrin në 180 cm, Morava Binçes në Konçul – niveli në ora 12.00 arrin në 294 cm”, thuhet në njoftim.