Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me udhëheqësit e Agjencisë Pyjore të Kosovës, ka marrë pjesë në aksionin për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura në fshatin Llashticë të Gjilanit.
Kreu i Kuvendit tha se Kosova ka nevojë për pyllëzime dhe njëkohësisht për një ambient më të pastër.
“Është shumë inkurajuese mbjellja e këtyre fidanëve të pishave, për shkak të ndikimit që e kanë në ambientin dhe jetën tonë të përditshme. Kosova në raport me vendet e Bashkimit Evropian ka një situatë të mirë me pyje, por ajo çka na shqetëson të gjithëve është pjesa e ambientit. Hedhja e mbeturinave vend e pavend është e papranueshme për vetë identitetin tonë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Veseli theksoi se qytetarët dhe institucionet duhet të bëjnë më shumë për të ruajtur ambientin.
Ndërsa, Ahmet Zejnullahu, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë Pyjore të Kosovës, tha se këtë vit planifikohen të pyllëzohen rreth 300 hektarë. /Kosova.info/