Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Në një konferencë të mbajtur sot pas mbledhjes së kryesisë, Veseli tha se vizita e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në Serbi duhet të merret si diçka pozitive.
“Vizitën e presidentit rus në Serbi merreni si diçka pozitive. Ne jemi me Amerikën, jemi vend perëndimor. Fqinji ynë në pjesën veriore po pretendon të jetë mirë me partnerët tanë, por po ia hapë dyert Rusisë. Sidoqoftë, në vizitën e Putinit në Serbi, pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, janë të njëjtat mesazhe të cilat i janë thënë edhe presidentit tonë. Do të thotë Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Republikës së Kosovës”, deklaroi Veseli.
Ndërkohë, Putin gjatë ditës së djeshme ka qenë në Beograd, ku ka zhvilluar një takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Pas takimit është thënë që Rusia pajtohet që Kosova e Serbia të arrijnë një marrëveshje të pranueshme dhe reciproke.
Ndërkaq, teksa ka folur për mospërfshirjen e opozitës në procesin e dialogut, Kadri Veseli ka thënë se marrëveshja finale me Serbinë do të vendoset në referendum.
“Vendimi ynë do të jetë ai i cili do të jetë i qytetarëve tanë, opozita duhet t’i bashkëngjitet obligimeve institucionale që i ka. Por nëse nuk i bashkëngjitet atëherë sovrani do të vendosë. Ne nuk do të ndalemi, do të futemi në procesin e dialogut, do të marrim vendime të cilave sovrani do t’ua japë vulën e vet përfundimtare. Ky është referendumi i qytetarëve tanë. Ky është sovrani që vendos për gjithçka”, potencoi kreu i kuvendit.