Në qendrën e votimit “Abaz Ajeti” që është qendra e dytë më e madhe në qytetin e Gjilanit ka votuar edhe qytetari me aftësi të kufizuara Abdyl Ibishi, raporton Gazeta Express.
Ai ka pasur vështirësi për t’u ngjitur në vendvotimin e tij pasi që i është dashur që karrocën e tij ta lërë poshtë dhe me anë të patericave është dashur që të ngjitë 60 apo 70 shkallë që të shkojë të votojë.
Ai ka thënë se ka pasur vështirësi që futet deri te klasa ku duhet të votojë, por që përkundër vështirësive ka vendosur të votojë për një jetë më të mirë.
“Unë si person me aftësi të kufizuara, punoj tek Eko Higjiena, edhe kësaj here kam dalë për të votuar për një jetë më të mirë”, ka thënë ai.
Ai, po ashtu, ka thënë se nuk është bërë asgjë nga institucionet për këtë kategori të njerëzve.
“Hiç nuk është bërë për kategorinë e njerëzve, është dashur me lanë karrocën poshtë për të vazhduar”, është shprehur qytetari me aftësi të kufizuara. /GazetaExpress/