Shkruan: Arbër Ramadani
Pushteti, ka qenë dhe vazhdon të mbetet ndër motivet, më të trajtuara në filozofi.
Në momentin e parë pasi ta kemi dëgjuar fjalën “pushtet”, neve na shfaqen përftyrime të tilla si: “dominimi”, “kontrolla” dhe “fuqia” e një njeriu, grupi, klase, shtrese, partie apo organizate mbi njerëzit e tjerë.
Filozofët dhe mendimtarët e të gjitha kohërave u munduan që permes motivit për pushtet, t’i jepnin pergjigje shumë pyetjeve, që kanë të bëjnë në përgjithesi me “sjelljen” e njeriut ne shoqëri.
Në këtë vështrim tonin për rrugën drejt pushtetit, ne do ta trajtojmë për aq sa mundemi, formën politike të pushtetit.
Pushteti politik, mbase është një lloj shëmbëlltyre e kuptimit të vërtetë të pushtetit si koncept.
Aty ne mund ta shohim se si disa njerëz e fitojnë fuqinë, mekanizmin shtetëror, infrastrukturën e nevojshme, që më pas e përdorin “për” dhe “kundër” njerëzve të tjerë.
Zakonisht në fillim “grupi i njerëzve”, partia, lëvizja, lidhja, quajeni si të doni nisen me ide, parime, maksima aq të larta e të vërteta, por që më pas, gjatë rrugës takohen me mundësi të shumta, të llojllojshme që ofron pushteti, dhe e shohim se si shndërrohen vlerat, se si ata biejnë “pre” e kënaqjes së apetiteve, egove, dhe instikteve më të ulëta njerëzore.
Se si gjatë mbajtjës së pushtetit, gjithnjë e më shumë largohen ndjenjat ndaj atij që nuk e njeh, dhe se si vihet në pah përfitimi material dhe kënaqja e të “afërmit” apo forcimi përherë e më i madh i ndjenjave (qe shkon paralel me kënaqjen e dëshirave) ndaj të afërmit, atij që e njeh.
Por, si arrihet deri tek majat e ketijë pushteti, kaq të dëshirueshëm?
Për të fituar pushtet politik, “grupet e njerëzve”, pra partitë, fillimisht duhet të kenë kauzë, qëllim, moto.
Një lloj narracioni për të vërtetën, mbi të shkuaren të tashmen dhe të ardhmen e popullit ku synohet ushtrimi i pushtetit.
Në Kosovë pushtetin politik e synuan, fituan, përdorën e keqpërdorën, këto parti politike, me këto kauza:
1. Ne kemi luftuar, ne e meritojmë pushtetin, sepse ne e duam vendin (më shumë, se ju tjerët). UÇK= PDK? (më vonë AAK & NISMA).
2. T’i mbrojmë, kultivojmë, mirë-mbajmë raportet dhe miqësinë me Shtetet e Baskuara të Amerikës. Të gjithë e doni Amerikën (ne e duam më shumë se ju, sepse ne i kemi krijuar këto raporte) Amerika na don vetëm ne, andaj neve na takon pushteti. LDK=Ibrahim Rugova?
3. Ne duam bashkim me Shqipërinë (të gjithë e doni, por ne e duam më shumë, sepse e kemi në program dhe nuk e kemi votuar pakon e Ahtisaarit), andaj neve na takon pushteti. LVV=Rilindasit?
Dëshifrim: Këto janë tri “motive” të cilat u përdorën nga të gjitha partitë politike në Kosovë.
Ato e identifikuan vetën me këto vlera, me këto të “vërteta”, që zatën në pikënisje kishin sens secila prej tyre.
Shoqëria, qytetarët, votuesit e pranuan secilën nga këto të vërteta, ashtu sic ua servuan; ndaras nga njëra-tjetra.
Partitë politike u kujdesen që shpjegimet në lidhje me këto tri “koncepte” (secila) t’a përjashtonin, njëra-tjetrën. Me qëllim rritjen dhe zgjerimin e partisë.
Qëllimi ishte të ndahej populli, përmes këtyre “identiteteve”, këtyre narracioneve për të shkuarën dhe të tashmën e më pak të ardhmen, pra: “populli i partisë tonë” dhe “populli i partisë tjetër”, që për të njëjtën të vërtetë, t’a besojnë vetëm njërin narracion, që domosdoshmërisht duhej t’a përjashtonte, narracionin e partisë tjetër.
Njerëzit, poshtë dhe larg “lojërave” të pushtetit, në mungesë të platformave të vërteta, konkrete politike, mungesës së mirëqenies, mungesës së edukimit të mirëfilltë për politikën, entuziazmit post-çlirim, dhe shumë faktorëve të tjerë, krijuan “iluzionet” e tyre në raport me idetë, lëvizjet, lidhjet, grupet, partitë, bile edhe deri tek më “tipikja” për një shoqëri të keqedukuar, krijimit të “kultit” të individit.
Në shoqëritë primitive, shoqëritë në tranzicione të gjata (me tranzicion kuptohet hapësira kohore e kalimit nga një “fazë” në tjetrën, por kur kjo hapësirë kohore, zgjatet e zgjatet, nuk e di nëse ka kuptim të quhet tranzicion apo kemi të bëjmë me “fazë” në vete?) është tipike, shfaqja dhe më pas “mirëmbajtja” e lloj-lloj anomalive në shoqëri, që më pas përdorën e keqpërdorën nga ata që i “mirëmbajnë” e “ushqejnë” të njëjtat. Ato perdoren si formë e lehtësimit të kontrollit.
Ndër anomalitë tipike, që ka qenë dhe vazhdon të jetë prezente tek votuesi kosovarë është logjika e të vërtetës absolute, keqlidhja në mes “besimit tim” dhe “perjashtimit tënd”
Si duket kjo anomali?
Konceptin, idenë, partinë ose individin që “besoj” unë, (domosdoshmërisht) e përjashton konceptin, idenë, partinë ose individin që “beson” ti.
Pikërisht këtu krijohet hapësira ideale e manovrimit për partitë, “mirëmbajtja” e anomalive, shfaqja e populizmit si mbidozë.
Në këtë hapësirë bëhen të gjitha ndarjet dhe nën-ndarjet e “nevojshme”, për mbajtje nën kontrollë të elektorateve.
Sepse partia ka nevojë për “armiq”.
Sepse në mungesë të “armikut”, njeriu është i prirë të kërkojë lirinë pozitive, kualitative, ta bëjë kapërcimin prej “lirsë nga” tek “liria drejt”, por për partitë “liria nga” është më e thjeshtë, më lehtë e menaxhueshme, më e përshtatshme për mirëmbajtjen e pushtetit.
Sepse krijohen mundesitë, për ndërtimin e “autoritetit irracional” që për parakusht kanë, në njërën anë frikën dhe në anën tjetër pushtetin.
Sepse armiku;
Sepse frika;
Sepse zgjidhja;
Sepse partia.
Le të flasim për aspektet tjera, të mënyrës se si fitohet, mbahet dhe përdoret pushteti.
Secila nga partitë është “infrastrukturë” në vete.
Ndër segmentet më të rëndësishme të këtyre “infrastrukturave” janë “oratorët e partisë”.
Cili është roli i tyre?
Këta kanë për obligim t’a bindin, drejtojnë, kthejnë, ribindin, ridrejtojnë, rikthejnë elektoratin në funksion të partisë (kujdes: esenca është të bindesh, të besosh se kjo po ndodhë për hir të shtetit).
Këtu zakonisht provokohet ndjenja e përkatësisë kombëtare, në mënyrë që shërbimin, besimin, dashurinë, besnikërinë që e manifeston në raport me partinë, nga “oratorët e partisë” të kamuflohet si shërbim, besim, dashuri, besnikëri në raport me shtetin.
Prandaj, të votosh parti të ndryshme, ne zgjedhje të ndryshme, sipas “oratorëve te partise” është në proporcion në mos më e rëndë, se sa ndryshimi i shtetësisë. Qëllimi është sigurimi i votës së përjetshme për partinë.
Një element tjetër i rëndësishëm drejt “kontrollit” të elektoratit është aspekti “moral”. Do të ndalemi vetëm shkarazi, sepse politika dhe lidhja e saj me moralin është “shkencë në vete”.
Kur nje parti arrinë ta bindë votuesin se partia e tyre e reprezenton të mirën. Pra, e idenentifikojnë vetën me të miren. Kurse partitë tjera i identifikojne me të keqen. Kështu provokohet ndjenja e një llojë satisfaksioni të rrejshëm, ndërmjet përkatësisë politike të votuesit dhe kuptimit të tij në vendin ku jeton.
Sepse votuesi, ndjehet “i mirë” nga fakti se është votues i “X” partisë, kurse e identifikon si “të keq” e identifikon me “të keqën” përsonin që e voton “Y” partinë.
Pra, promovohet ndarja klasike, ndarja jo e vërtetë, ndarja më e gënjeshtërt; TË MIRËT kundër TË KËQINJVE!
Sikur në përralla!
Kaq thjeshtë manipulohet!
Sepse kaq thjeshtë është të “manovrohet” me botëkuptimin e njeriut, rrjedhimisht shoqerisë që nuk lexon, nuk hulumton, nuk edukohet, nuk mendon, nuk futet në komplicitetin e të vërtetës. Sepse po të lexonin, do të gjenin se shumë “dijetarë” më parë, na folën për këto koncepte, madje disa prej tyre na sygjeruan, se ka koncepte edhe “përtej të mirës dhe të keqës”.
Kot.
Nuk i bëhet vonë per koncepte filozofike, prodhimit më të pështirë që mund ta lindte shoqëria: “tifozit”, “ultrasit” të partisë.
“Partitë e tjera, nuk e kanë të vërtetë shpjegimin e tyre, e kanë për pushtet” thotë Ai, “kurse partia jonë e ka program përmbajtësorë” vazhdon “ultrasi”, duke ofruar “fakte” e narracione nga më të ndryshmet.
Por slloganet e këtyre partive në fakt nuk janë fare platforma politike, as ofertë permbajtësore.
Ato jane asgjë më pak se iluzione të çoroditura, të shkruara e nënshkruara vetëm per konsum partiak.
Këto postulate partiake, testin e së vërtetës e humbin, e braktisin, pikërisht në momentin kur supozohet se është edhe kuptimi dhe funksioni i ekzistencës së tyre, kur duhej të viheshin në shërbim, pra, porsa t’a fitojnë pushtetin.
Kjo vërehet fare lehtë, krejt sheshazi, një hap para marrjës së pushtetit: tek negociatat për koalicione.
Së paku tek negociatat për pushtet mund ta shihni të vërtetën e seciles parti;
Së paku aty, e keni rastin të distancoheni, t’a bëni dallimin në mes asaj që ju e besoni dhe asaj që ata e negociojnë.
Asnjë koordinim rreth slloganeve “ekzistenciale” të tyre;
Asnjë mosmarrëveshje programore;
Asnjë dallim i vertetë; As politik, as moral e as ideologjik.
Dallimet e krerëve të partive nisen e përfundojnë vetëm në ndarjen e pushtetit.
Pra, ekziston një moment kur votuesit e dy (ose më shumë) partive që bëjnë koalicion, e harrojnë dallimin e partisë së tij, me partinë tjetër, keqlidhjen në mes “besimit” të tij dhe “perjashtimit” të tjetrit, dhe me naivitet bindet që partia për të cilën bënë “tifo” ai, tash ka të drejtë t’a ndryshojë kauzen, ka të drejtë t’a, ndërrojë narracionin (përkohësisht), derisa njerëzit që janë në krye të partisë t’a shijojnë e stër-shijojnë pushtetin.
Pushtet ky i fituar me njëren nga këto tri kauza;
1. Ne kemi luftuar, ne e meritojmë pushtetin, sepse ne e duam vendin (më shumë, se ju tjerët). UÇK= PDK? (më vonë AAK & NISMA).
2. T’i mbrojmë, kultivojmë, mirë-mbajmë raportet dhe miqësinë me Shtetet e Baskuara të Amerikës. Të gjithë e doni Amerikën (ne e duam më shumë se ju, sepse ne i kemi krijuar këto raporte) Amerika na don vetëm ne, andaj neve na takon pushteti. LDK=Ibrahim Rugova?
3. Ne duam bashkim me Shqipërinë (të gjithë e doni, por ne e duam më shumë, sepse e kemi në program dhe nuk e kemi votuar pakon e Ahtisaarit), andaj neve na takon pushteti. LVV=Rilindasit?
Për shpërputhjen e këtyre “maksimave” me përfaqësuesit e tyre, në pjesën e dytë të këtij vështrimi mbi “rrugën drejt pushtetit”.