Zgjidh gjuhën
sq Albanian
Vetëm 90 minuta hapësirë në ditë në një televizion për partitë
Viber Icon
INDEKSONLINEE Mërkurë, 18 Dhjetor 2024 22:07
Derisa ka mbetur edhe pak kohë deri në nisjen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit, kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave Jeton Mehmeti ka folur në RTK në detaje për rregulloren që ka miratuar institucioni që ai drejton, për obligimet që kanë mediat gjatë kësaj periudhe deri në përfundim të zgjedhjeve.
Mehmeti tregoi se rregullorja e re përcakton obligime të përgjithshme për mediet e obligime specifike për KPM-në.
Ai theksoi se me rregulloren e re është vendosur kufiri i sasisë së kohës që secili transmetues mund t’ua shesë secilit subjekt politik.
I pyetur si është bërë draftimi i rregullores, ai tregoi se për të janë mbajtur tri dëgjime publike me përfaqësues të medieve për çka tha se u ka ndihmuar mjaftueshëm që t’i marrin në konsideratë të gjitha komentet, vërejtjet e sugjerimet nga ata që preken nga kjo rregullore.
Sipas tij, kanë arritur në formulim që është i mjaftueshëm, i qartë që edhe zbatohet dispozita ligjore dhe nuk afektohen mediat në kuptimin financiar gjatë fushatës zgjedhore.
“Përshembull ligji i obligon të gjitha mediat që ta bëjnë publike listën e çmimeve me të cilat ato do ta shesin hapësirën e vetë reklamuese. Aty nuk mund të intervenojmë më herët përpos të tregojmë se ku duhet të publikohet kjo listë e çmimeve. E dyta, u kërkon medieve t’u ofroj secilit subjekt të certifikuar politik një hapësirë pa pagesë. Po ashtu u kërkon medieve që gjatë fushatës të evidentojnë kohën në bazë të ditarëve e këta ditarë t’ua dërgojnë KPM-së që pas verifikimit i bën publike ata ditarë”.
Ai tutje sqaroi se janë dy ditarë, njëri për kohën pa pagesë që u është dhënë partive politike e tjetri për kohën me pagesë.
“Aty duhet të vendoset se cili subjekt ka marr atë minutazhë, sa minuta u janë dhënë, në fund të javës ata ditarë i dorëzohen KPM-së e KPM-ja i bënë publike ata ditarë”, tha ai.
Tha se janë të vetëdijshëm që jo të gjitha subjektet politike kanë mundësi financiare të blejnë hapësirë mediale, ndërkaq sqaroi se një subjekt politik në një medium nuk mund t’i ketë hapësirë më shumë se 90 minuta në ditë.
“Në këtë aspekt u është dhënë mundësi transmetuesve që hapësirën që nuk kanë arritur ta shesin, mund t’ua shesin atyre subjekteve politike që kanë interesim, por deri të një kufi i caktuar dhe ky kufi sipas rregullores tonë është 90 minuta, apo një orë e gjysmë brenda ditës dhe kësi soji një subjekt politik nuk mund të blejë gjithë hapësirën reklamuese në një televizion, por vetëm rreth 90 minuta në ditë në një televizion të caktuar”, sqaroi ai.
Mehmeti tutje tregoi se 6 orë është hapësira që mund të shitet me pagesë për secilin televizion, pjesa tjetër tha se mund të konsumohet në bazë të intervistave, debateve televizive e kështu me radhë.
“Këtu kemi vendosur një kufi e ky kufi është që koha në të cilën televizionet mund të pasqyrojnë aktivitete e fushatës qoftë me pagesë, qoftë pa pagesë është nga ora 12:00 e ditës deri në ora 24:00 të natës, nga 24 orë të programit 12 orë mund të shfrytëzohen për aktivitete të fushatës. Në këtë mënyrë edhe mbahet publiku me informatat e tjera të nevojshme”, vijoi ai, në intervistën e tij për RTK Prime”.
Sipas tij, ky kufizimi i kohës do të qojë edhe të kualiteti i asaj se çfarë ofrojnë partitë politike nëpër televizione.
Deri në 100 mijë euro mund të gjobiten mediat që shkelin ligjin gjatë fushatës
Mehmeti në RTK Prime foli edhe për sondazhet në kohë fushate, tha se me këtë rregullore kanë vënë kritere më serioze në publikimin e sondazhit.
“Nëse televizionet dëshirojnë të publikojnë sondazhe, e kanë për obligim të tregojë se kush e ka bërë atë sondazh, cila është organizata apo partia që e ka financuar, numri i respodentëve që kanë marr pjesë, metodologjia mbi të cilën është zhvilluar anketa dhe marzha e gabimit rreth atij sondazhi. Nëse plotësohen këto kritere televizionet mund t’i shpalosin sondazhet”, sqaroi ai.
Tha se kompanitë që zhvillojnë sondazhe të tilla duhet të jenë serioze, sepse sipas tij, nuk mund të del një kompani e themeluar para një muaji të bëjë sondazhe të tilla.
Tutje tha se sondazhet “online” janë të ndaluara për mediet, sepse siç sqaroi sondazhet i japin një drejtim qytetarëve dhe nuk do të ishte e drejtë sipas tij, të ushqehet me informacion fiktiv e të rrejshëm.
Ndërkaq për exit-pollet tha se asnjë prej tyre nuk mund të publikohet pa u mbyllur të gjitha vendvotimet.
Ai ka treguar se me rregullore i kanë vënë detyra edhe vetës.
“Është paraparë që çdo ankesë duhet të merr epilog brenda pesë ditësh që nënkupton që trajtimi do të jetë i menjëhershëm”, tha ai.
Ka bërë të ditur se cilat janë sanksionet për ato media që shkelin ligjin e rregulloren.
“Në bazë të ligjit gjobat mund të jenë deri në 100 mijë euro si gjoba më e madhe kur ka shkelje më të rëndë. Atë e thotë ligji për KPM-në, nuk mund të shqiptohet gjobë më e vogël se 1 mijë euro e jo më shumë se 100 mijë euro. Kjo në kuptimin e shkeljeve që evidentohen, sanksionet që mund t’i lëshojë KPM-ja mund të jenë edhe më të ashpra edhe jashtë aspektit monetar”, tha tutje Mehmeti.
Në gjysmë të fushatës zgjedhore KPM-ja do të mbetet pa kuorum
Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave tutje ka treguar se dy vende në bordin e KPM-së tash e një vit janë vakante.
“Meqë Kuvendi është ende funksional, të krijohet një komision ad- hoc të intervistohen kandidatët e të zgjidhen dy anëtarë e pikërisht në zgjedhje KPM-ja të mos mbetet pa vendimmarrje”, tha Mehmeti.