Tashmë është bërë traditë që çdo vit më datë 23 korrik, në ditëlindjen e Legjendës, Fadil Vokrri, të organizohet turneu i veteranëve të futbollit.
Edhe kësaj radhe stadiumi që mban me krenari emrin e Legjendës, ka mbledhur yjet e shumta të gjeneratave të ndryshme që ndër dekada lanë gjurmë të pashlyeshme në futbollin mbarëkombëtar.
Në organizim të FFK-së, u zhvilluan dy ndeshje, ajo ndërmjet veteranëve të Prishtinës dhe Llapit, skuadra në të cilat luajti gjatë karrierës ish-presidenti i FFK-së, si dhe ndeshja kryesore ndërmjet veteranëve të Kombëtares së Kosovës dhe veteranëve të Kombëtares së Shqipërisë. Para fillimit të ndeshjeve të gjitha ekipet pjesëmarrëse bën homazhe dhe vendosen buqeta lulesh tek shtatorja e Legjendës, teksa turneu filloi me një minutë heshtje në nderim të tij.
Ndonëse në temperatura goxha të larta, veteranët u përpoqën që të japin më të mirën e tyre në fushën e gjelbër, duke dhuruar në disa raste edhe emocione tek të pranishmit me veprimet e tyre.
Kosova e fitoi vëllazëroren me Shqipërinë, me rezultat 2:1, në ndeshjen e cila u luajt 2×25 minuta. Kosova e nisi mirë lojën dhe kaloi në epërsi qysh në minutën e 2-të, kur Xhavit Mehmeti në një soloaksion realizoi për 1:0, teksa epërsinë në 2:0 e shtoi ish-futbollisti i spikatur i Prishtinës, Sheremet Isufi, në minutën e 25-të. Në pjesën e dytë dominimi ishte në anën e veteranëve kuqezinj, të cilët arritën që në minutën e 32-të të ngushtojnë disavantazhin, me golin e Mërgim Mavrajt, nga penalltia, por jo edhe të ndryshojnë epilogun e ndeshjes.
Në duelin paraprak, Llapi e mundi Prishtinën (2:0), me dy golat e Driton Rrahmanit.
Në fund, për ekipet pjesëmarrëse anëtarët e KE të FFK-së, Ismajl Ajeti e Agim Nura, së bashku me emrat e njohur të futbollit si Ajet Shosholli, Sulejman Mema, Ramadan Cimili e Ramiz Krasniqi, i ndanë medaljet, derisa për ekipin e veteranëve të Kosovës si fitues të ndeshjes u nda edhe trofeu “Fadil Vokrri”. /Demokracia.com