Ikja e mjekëve nga Kosova, kushtet jo të mira në të cilat ata punojnë e mungesa e edukimit të vazhdueshëm janë disa nga problemet me të cilat po ballafaqohet shëndetësia vit pas viti, shkruan sot gazeta Zëri.
Derisa është vlerësuar se as qeveria “Kurti” nuk do të mundë t’i zgjidhë disa probleme me të cilat po ballafaqohet shëndetësia, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për “Zërin” se gjendja në shëndetësi nuk mund të shkojë edhe më keq sesa është. Ajo ka thënë se ministri i ri do ta përmirësojë gjendjen në këtë fushë.
“Shtrohet pyetja se a janë ata të kënaqur me gjendjen ekzistuese? Unë mendoj se gjendja më keq nuk kah të shkojë. Çfarë mund të bëjë qeveria e re, është ajo se mund ta përmirësojë gjendjen, sepse gjendja është shumë e keqe. Mjekët e rinj nuk kanë fare mundësi të dalin dhe të krijojnë përvojë shtesë. Pra t’u mundësohet që gjatë specializimit për një semestër të shkojnë diku tjetër. Vetëvendosja edhe në fushatë e ka shprehur se e ka një nga prioritetet shëndetësinë dhe unë mendoj se do të fillojnë të vërehen përmirësimet, meqenëse gjendjen e kanë sjellë në këtë nivel që me të vërtetë duhet shumë punë”, ka deklaruar ajo.
Sa i përket idesë së Kurtit që mjekët të zgjedhin të punojnë vetëm në një sektor, Kollçaku ka thënë se me përmirësimin e kushteve të mjekëve ata nuk do të kenë interes të punojnë edhe në orët e pasdites.
“Kjo është thënë në parim. Besoj se të gjithë mjekët kur e kanë të rregulluar statusin e tyre në punë, kur do ta kenë pagën e dinjitetshme e kushtet më të mira në punë edhe vetë ata nuk do të jenë të interesuar kur në kohën e tyre të pushimit të jenë të detyruar të punojnë edhe në orët e pasdites. Nuk ka qenë ky vullneti i mirë i mjekëve. Çdonjëri ka nevojë të punojë, por të ketë një pjesë edhe pushim. Pra është mundësia që mjekut duke ia përmirësuar kushtet e punës, pagën dhe mundësinë për të pasur zhvillimin e vazhdueshëm profesional të eliminohet nevoja për të punuar në dy sektorë”, ka shtuar ajo. //ZERI