Lëvizja Vetëvendosje i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës së sotme që humbi jetën në aksidentin e ndodhur në Gjilan, ku vdekur mbeti Qerim Çoçaj dhe u lënduan 22 qytetarë të tjerë.
Postimi i LVV-së në Facebook:
Tmerri që përjetuan qytetarët e Gjilanit nga aksidenti i sotëm ku humbi jetën një person dhe u lënduan shumë të tjerë, na ka tronditur rëndë të gjithëve.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përcjellur me shqetësim këtë ngjarje të dhimbshme dhe bashkëndjen me familjen e Qerim Çoçajt, i cili humbi jetën në këtë aksident dhe me të gjithë të lënduarit e tjerë. Në këto çaste të vështira le t’i qëndrojmë afër familjes së viktimës, kurse të lënduarve të ju ofrohet trajtimi dhe kujdesi shëndetësor për të tejkaluar lëndimet.
Duke i shprehur ngushëllime familjes dhe uruar shërim sa më të shpejtë të lënduarve, Lëvizja VETËVENDOSJE! thekson rëndësinë që duhet t’i japim sigurisë në komunikacion, të rrisim vëmendjen dhe përgjegjësinë në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten!