Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie po shqyrton në parim projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.
Kundër këtij projektligji ka dalë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Fatmire Mulhaxha Kollçaku, gjatë fjalës së saj ka thënë se Institucionet e shtetit kanë pasur për obligim që të ndërmarrin të gjitha masat qoftë vetëdijësuese, gjë për të cilat ajo tha se nuk kishte edhe shumë kohë.
Kollçaku tha se qytetarët e Kosovës i përqafuan masat e ndërmarra në mënyrë emergjente nga Qeveria dhe se shteti ka vepruar në mënyrën më të duhur karshi situatës.
Teksa theksoi se ky projektligj tanimë nuk ka asnjë kuptim.
“Prandaj ky ligj e ka humbur edhe kuptimin e vet dhe qytetarët nuk mund ti ndajmë në të përgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm, në ata që janë përgjigjë dhe janë të vetëdijshëm që e kanë shkelë edhe ligjet që ishin aktuale në atë kohë që ishin në fuqi, por edhe të githa vendimet se e drejta e dikujt përfundon kur cenohet e drejta e tjetrit”, tha ajo.
Tutje deputetja tha se askush nuk ka pasur të drejtë që me veprime të papërgjegjshme të përhap virusin dhe të shkaktojë rrezik të përgjithshëm.
“Askush s’ka pasë të drejtë që me veprimet e papërgjegjshme ta përhap virusin dhe të shkaktojë rrezik të përgjithshëm në popullatë, prandaj ky sado që qëllimi mund të jetë i mirë në vetëvëte tashmë ky ligj me këto rastet e fundit kur kemi 0 raste mund të jemi të qetë dhe me ligjin e ri do të rregullohen situate të tilla në të ardhmen”, shtoi ajo.
Ndërsa Nol Nushi, si përfaqësues i peticionit për dërgimin e këtij projektligji në Kuvend, ka kritikuar vonesën për shqyrtimin e këtij projektligji. Sipas tij, kjo mund t’i dekurajojë qytetarët për të marrë nisma të tilla.
“Projektligji është dorëzuar në qershor 2021. Rrafsh pas 15 muajsh po e trajtojmë këtë në Kuvend. Vonesa e Kuvendit është dekurajuese për qytetarët që duan të marrin nisma të tilla”, ka thënë në fillim Nushi, i cili thekson se janë dhënë 329 mijë gjoba të lidhura me COVID-19. “Gati një e katërta e popullsisë”./teve1.info./