Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.
Nuk janë të rralla as rastet kur veturat godasin këmbësorët, qoftë në vendkalime apo edhe në pjesë të tjera. Kështu ka ndodhur sot, në rrugën “Madeleine Albright” në Gjilan, ku një automjet e ka goditur një këmbësore, e cila ka pësuar lëndime trupore.
Sipas sinjalizuesit të Sinjalit, bëhet fjalë për një grua të moshuar, 74-vjeçare, e cila si pasojë e përplasjes nga automjeti u dërgua me urgjencë në spital për të marrë trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia e Trafikut, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.