Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me myftiun e Republikës, Naim Tërnava, ambasadorin e Kuvajtit të akredituar për Tiranë dhe Prishtinë, Fajaz Mishari al Jassim dhe drejtorin e Komitetit për Ballkan, Europë dhe Amerikë, Mahmud Najadi, kanë vënë sot gurthemelin e ndërtimit të konviktit të fëmijëve në SOS Fshatin e fëmijëve dhe kategorive të tjera në nevojë.
“Falënderimi i takon Zotit që sot na ka bërë bashkë me përfaqësusit e shtetit mik, me njerëzit e vullnetit të mirë, për të ndihmuar ata që s’kanë mundësi, siç janë fëmijët pa përkujdesje, që ta ndërtojnë fshatin e tyre dhe ta realizojnë këtë ëndërr të madhe. Ky është objekti i tretë që po ndërtohet në kuadër të kompleksit prej 10 objekteve, me krejt infrastrukturën për rehabilitim, shkollim, pushim, rekreacion, shkollim dhe për lutje. Ky është projekt unik jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan. Faleminderit shumë shtetit mik për mbështetjen kaq të madhe për qytetarët e Gjilanit”, ka thënë në fjalën e tij kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ambasadori i Kuvajtit, Fajaz Mishari al Jassim, konfirmoi se shteti i tij do t’i përkrah edhe projektet tjera që janë jetike për qytetarët.
“Kjo ngjarje e përfaqëson fytyrën e humanizmit të shtetit të Kuvajtit. Ndihem i lumtur që po e fillojmë gurthemelin e konviktit të jetimëve dhe të moshuarve në Gjilan, Ky është projekt infrastrukturor me shumë rëndësi dhe kjo neve na bënë shumë krenar dhe është argument për bashkëpunimin mes Kuvajtit dhe Kosovës. Shteti i Kuvajtit do t’i përkrah të gjitha projektet që janë në dobi të qytetarëve në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës dhe Bashkësinë Islame”, u shpreh ambasadori i Kuvajtit.
Myftiu i Republikës, Naim Tërnava, ka uruar për këtë projekt, duke e lutur Zotin që ta bëj të mundur që të ketë edhe projekte të tjera nga shtetet mike të Kosovës.
“Këto shtete mike e përkrahën Kosovën edhe gjatë luftës edhe pas luftës përmes këtyre projekteve të natyrave të ndryshme. Ju faleminderit ambassador për mbështetjen kaq të madhe për Kosovën”, tha Tërnava.
Një fjalë rasti pati edhe drejtori i Komitetit për Ballkan, Europë dhe Amerikë, Mahmud Najadi, i cili tha se kryetari i shtetit të Kuvajtit, me ndërtimin e këtij fshati, po mundohet që përmes këtij donacioni, t’i dalë në ndihmë njerëzve në nevojë.
“Shteti i Kuvajtit përkujdeset për mbi 4 mijë fëmijë jetim në Kosovë, kemi hapur 120 puse të ujit të pijshëm, ndërsa fshati social është njëri nga projektet më kulminante. SOS Fshati i fëmijëve pëfshinë ndërtimin e dy objekteve për fëmijët jetimë, një shkollë fillore, institutin për përgatitje profesionale, xhaminë, qendren shëndetësore, dyqane e hapësira për aktivitet sportive, vlera e të cilave është është 3 milionë dollarë”, tha ai.
Në këtë ngjarje u tha se përpos ndihmës ndaj kategorive në nevojë, në këtë fshat social do të hapen edhe vende të reja pune.