Aksidenti Badoc, një i vdekur e dy të lënduar
Një i vdekur dhe dy të lënduar është bilanci i një aksidenti të rëndë që ndodhi sot në rrugën Prishtinë – Gjilan.
Në aksident ishin të përfshirë dy vetura dhe një kamion.
Klankosova.tv. mëson se viktima e këtij aksidenti është Shyqeri Mahmuti, zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Gjilanit.
Lidhur me rastin detaje për Klankosova.tv ka dhënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë për rajonin e Prishtinës.
“Sot rreth orës 12:00 në rrugën Prishtinë- Gjilan, ka ndodhur një aksident trafiku në mes të tri automjeteve ( dy vetura dhe një kamion). Si pasojë e aksidentit në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një person dhe janë lënduar dy të tjerë të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, tha Ahmeti për Klankosova.tv.