Gjykata Komerciale ka marrë vendim që kompanisë “Visametric” t’i ndalohet që t’i detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për kthim të pasaportës kur aplikojnë për viza në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.
Këtë vendim e ka bërë të ditur avokati Flamur Avdullahu i cili njoftoi se kjo është rezultat i padisë kolektive që ka bërë ai ndaj kësaj kompanie në lidhje me këtë çështje.
“Për këtë 9 Maj – Dita Evropës po ju njoftoj që Gjykata Komerciale, në të dyja shkallët, ka dhënë vendim që i ndalon kompanisë Visametric L.L.C. që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për kthim të pasaportës kur aplikojnë për viza në Ambasadën Gjermane.”, ka shkruar Avdullahu në Facebook, përcjell Reporteri.net.
Po ashtu Abdullahu ka publikuar vendimin e gjykatës në llogarinë e tij në Facebook, ku ka thënë se vlera prej 30 euro për person është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
“Detyrimi i aplikantëve për të paguar postën është vetëm një zhvatje më shumë që i bëhet qytetarëve të Kosovës në aplikime për viza që nga pas lufta. Vlera prej 30 euro për person përbën disa miliona përfitim për kompaninë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Gjithashtu, unë kam ushtruar Padi Kolektive në emër të interesit publik ndaj Visametric L.L.C. për këtë çështje”, ka shkruar ai./Reporteri.net./