VAZHDOJNË SULMET NDAJ VITA-s!
Që nga 2 korriku, mbi 650 mostra, mbi 30 inspektime dhe asnjë rezultat i dorëzuar. VITA kërkon transparencë dhe hetim nga Prokuroria!
Qumështorja VITA reagon me shqetësim të thellë ndaj situatës së fundit të krijuar, pas një serie të vazhdueshme kontrollesh dhe dyshimesh të ngritura ndaj kompanisë sonë.
Fillimisht u ngritën dyshime për vaj palme, por ato nuk u vërtetuan!
Pastaj për qumësht pluhur, por as këto dyshime nuk u vërtetuan!
Më pas për ujë pusi, por as këto dyshime nuk u vërtetuan!
Tani, pas gjithë këtyre kontrolleve, paraqitet një mostër prej vetëm një litri qumësht, me pretendimin se një lot i prodhimit ka tejkaluar kufirin e lejuar të aflatoksinës M1.
Për një çerek shekulli veprimtarie, VITA nuk është përballur me asnjë rast të vetëm të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve. Përkundrazi, jemi e vetmja fabrikë e përpunimit të qumështit në rajon e pajisur me certifikatat IFS Food, Halal Food Certificate dhe HACCP.
Prandaj, mënyra se si po zhvillohet kjo situatë ngre dyshime serioze për trajtim të padrejtë dhe veprime të mundshme të qëllimshme kundër kompanisë sonë.
I bëjmë thirrje publike Prokurorisë së Shtetit që t’i shqyrtojë këto raste dhe të hetojë të gjitha procedurat, nga marrja e mostrave deri te rezultatet laboratorike dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse.
VITA kërkon transparencë të plotë, qasje në rezultatet e analizave laboratorike dhe verifikim të pavarur të mostrës së kontestuar.
Konsumatorëve tanë u themi qartë: VITA qëndron pas cilësisë PREMIUM të produkteve të saj, të prodhuara me 100% qumësht nga fermerët e Kosovës. Siguria ushqimore dhe shëndeti i konsumatorëve kanë qenë dhe mbeten prioriteti ynë absolut.
Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, trajtim të barabartë dhe që e vërteta të dalë në dritë.
VITA – 100% qumësht vendor. Cilësi PREMIUM. Besim i palëkundur!










