Shumë shpejt pjesëmarrësit në trafik, në qytetin e Vitisë do të hasin në semaforë, pasi kjo komunë për herë të parë do të bëhet më këto shenja të komunikacionit, transmeton Plus Televizion.
Me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe mos shkaktimit të tollovisë në trafik, sot në Viti, konkretisht në udhëkryqin i cili lidhë Pozheranin me qytetin e Vitisë, ka nisur vendosja apo instalimi i semaforëve. Ky investim po financohet nga Komuna e Vitisë dhe është mirëpritur nga qytetarët.
Kryetari Sokol Haliti, potencoi se Komuna e ka parë të arsyeshme të bëjë vendosjen e semaforëve në këtë udhëkryq duke folur edhe për rëndësinë e vendosjes së tyre në këtë vend. “ Ne jemi në dijeni për shkak të ngarkesë së madhe të komunikacionit në udhëkryqin që lidhë qytetin e Vitisë me Pozheranin dhe më qëllim të lehtësimit të qarkullimit në këtë udhëkryq por edhe të parandalimit të aksidenteve dhe tollovisë së panevojshme ne e kemi parë të arsyeshme që të vendosim semaforë të cilët do të shtojnë sigurinë në trafik” u shpreh Kryetari Haliti duke vazhdur se kjo komunë do të vazhdoj me implementimin e Planit të Mobilitetit të cilën e ka të aprovuar.