Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Vitisë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Labinot Bislimi, ka njoftuar se dega e AAK-së në këtë komunë ka arritur marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas Bislimit, marrëveshja ka ardhur pas disa ditësh konsultimesh dhe harmonizimi të programit dhe prioriteteve mes dy subjekteve politike në nivel lokal.
“Pas konsultimeve disa ditësh ndërmjet dy degëve, pasi u përafruan vlerat, idetë dhe programet, dhe pasi e morëm vendimin brenda strukturave tona, sot në mëngjes nënshkruam marrëveshjen e koalicionit në nivel degësh. I zgjatëm dorën kandidatit për kryetar nga Vetëvendosje, z. Arsim Ademi,” ka shkruar Bislimi.
Ai theksoi se sipas vlerësimit të AAK-së, ky koalicion është një vendim politik i domosdoshëm në raport me atë që ai e cilëson si “e keqja qeverisëse” në komunë.
“Ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e pozicionimit tonë karshi të keqes së komunës së Vitisë, që me emër e thërrasim Sokol Haliti,” shtoi ai.
Bislimi potencoi se Aleanca në Viti nuk ka qëndruar asnjëherë neutrale ndaj proceseve politike dhe se edhe kësaj radhe ka zgjedhur të pozicionohet qartë.
“Situata e tanishme kërkon guxim, mobilizim dhe veprim. Ky koalicion shpreh gatishmërinë tonë për të kontribuar në proceset politike dhe në avancimin e projekteve dhe interesave të qytetarëve të Vitisë,” përfundoi ai.
Ai njoftoi se së shpejti do të pasojë një shkrim më i detajuar për opinionin publik, ndërsa mesazhin e mbylli me urimin: “Na priftë e mbara!”.










