Komuna e Vitisë, është bërë komuna e parë në nivel të Republikës së Kosovës e cila ka bërë digjitalizimin e shkollave. Kjo u bë e mundur falë një projekti të përbashkët të Komunës së Vitisë me Fondacionin Kosovë- Luksemburg me të cilën 39 shkollat e kësaj komune si fillore ashtu edhe të mesme janë pajisur me laptopë, video-projektorë dhe printer multifunksional.
Kjo u bë me dije sot në një aktivitet të organizuar në shkollën fillore të mesme të ulët “Dëshmorët e Vitisë” në Viti, ku nxënësit të kësaj shkolle kanë ndjekur edhe orën e parë të mësimit përmes këtyre pajisje të teknologjisë informative. Përndryshe vlera e këtij projekti është rreth 80 mijë euro dhe pjesa më e madhe e financimit prej 79% është bërë nga Fondacioni Kosovë-Luksemburg.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se komuna e Vitisë është komuna e vetme në nivel vendi që është përzgjedhur për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm. Ai falënderoj Fondacionin Kosovë-Luksemburg që ka financuar pjesën më të madhe të projektit të digjitalizimit të shkollave por shtoj se me këtë fondacion janë realizuar edhe shumë projekte të tjera në këtë komunë për të cilët ai dhe qytetarët vitias ju janë mirënjohës. Haliti tha se kjo komunë do të vazhdoj të bashkëpunoj me Fondacionin Kosovë- Luksemburg dhe në shenjë mirënjohje për këtë bashkëpunim ai i ka ndarë Drejtorit Menaxhues të këtij fondacioni, Fisnik Beqiri një mirënjohje. Kurse Fisnik Beqiri, Drejtor Menaxhues i Fondacionit-Kosovë- Luksemburg u shpreh se ky fondacion ka ndihmuar jo vetëm sektorin e arsimit por edhe disa sektorë të tjerë si: bujqësinë, gjenerimin e të ardhurave, furnizim me pajisje të ndryshme etj. Ai vlerësoj lartë bashkëpunim me Komunën e Vitisë duke potencuar se kjo komunë është shembull i bashkëpunimit të ndërsjellët me këtë fondacion. Drejtoresha e Arsimit, Fatbardha Emini gjithashtu ka falënderuar këtë fondacion në veçanti për projektin e digjitalizimit nga e cila kanë përfituar 39 shkolla të komunës së Vitisë. Ajo shtoj se projektit i ka paraprirë përmirësimi i infrastrukturës shkollore për teknologji informative. E Qemajl Hyseni, Drejtor i kësaj shkolle falënderoj komunën dhe Fondacionin për pajisjet e teknologjisë informative për këtë shkollë dhe shtoj se përmes këtyre pajisjeve procesi mësimor do të jetë më atraktiv për nxënësit. Kurse përfaqësues të Shkollës së Mesme Teknike “Jonuz Zejnullahu” në Viti ndanë një mirënjohje për Fondacionin Kosovë-Luksemburg të cilën e pranoj Drejtor Menaxhues i Fondacionit i këtij fondacioni, Fisnik Beqiri. Kurse bëhet me dije se me këtë projekt shkollat e komunës së Vitisë kanë përfituar 180 laptopë, 35 video-projektor dhe 15 printerë multifunksional.