Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në seancën e Kuvendit ka kërkuar që deputetët të jenë të bashkuar për ruajtjen e shëndetit publik.
Vitia tutje ka bërë thirrje për qytetarët që të vaksinohen sepse vaksinat janë të sigurta dhe kështu kontribuojnë në të mirën e përgjithshme.
“Kosova është i vetmi vend në rajon që ka në stoqe vaksina të aprovuan nga EMA dhe NDE. Tani që varianti Delta është i pranishëm në Kosovë është dashtë që pa dallime politike në këtë qasje të kemi një qëndrim të përbashkët që sa më shpejt në mënyrë efikase të vaksinohen qytetarët e Kosovës”.
“Çdo thirrje tjetër është e pandershme. Ligjet e Kosovës nuk do të na lejojnë të rrezikojmë shëndetin e qytetarëve. Të gjitha vaksinat janë të sigurta vaksinohuni qytetarë sepse kjo është për të mirën e përgjithshme”.
Kurse sa i përket shqetësimit të deputetes së AAK-së Time Kadriaj lidhur me mungesën e insulinës, Vitia ka thënë se javën e ardhshme fillon shpërndarja pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat.
“Për insulina kanë përfunduar procedurat dhe nga java e ardhshme do të shpërndahen. Nuk po bëhet ndarje selektive sepse nuk kemi insulina”.
Fillimisht deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka adresuar për ministrin e shëndetësisë, Arben Vitinë shqetësimin për mungesën e insulinave.
Ajo ka thënë se përkundër që kanë ardhur një sasi e tyre është e padrejtë të bëhet selektimi i qytetarëve.
“Mosmarrja e dozave të insulinave është fatale për qytetarët. Pse nuk kërkoni që ndoshta t’i riburësoni qytetarët që i blejnë vet. Janë shpërndari një numër i tyre, por që nuk i përmbushin kërkesat. Me çfarë kriteri po ndahen ato, është padrejtësi më bë selektim”.
Poashtu Kadriaj ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta mbroj luftën e UÇK-së dhe çlirimtarët.