Dy lëvizje të rëndësishme në raportet në mes të Prishtinës e Brukselit ndodhën në vitin 2022: liberalizimi i vizave si dhe aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit të kandidatit në Bashkimin Evropian.
Dosja e vizave e cila ishte pluhërosur në sirtaret e selisë së BE-së si pasojë e mosveprimit shumëvjeçar të Brukselit, më në fund u trajtua në vitin 2022 dhe gati u kompletua nga institucionet relevante.
Bashkimi Evropian e nisi këtë hap në tentim të rikthimit të kredibilitetit të rrënuar në rajon e në dritë të agresionit rus në Ukrainë dhe mëtimeve që së paku Ballkani Perëndimor t’i rezistojë influencën ruse, ndaj të cilës shumë shtete të rajonit nuk ishin imune, raporton RTKlive.
Kështu, Kosova mori premtimin formal se vizat do hiqen më së largu më 1 janar të vitit 2024.
Përpos vendimit mbi liberalizimin e vizave, Prishtina zyrtare shkoi edhe një hap tutje.
Më 15 dhjetor në Pragë, Kosova dorëzoi aplikacionin për status kandidati tek presidenca çeke. Ishte ditë historike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Bashkimin Evropian.
Për anëtarsim po aplikonte një vend të cilin jo të gjithë në BE e trajtojnë si shtet e që njëkohësisht e ka të garantuar perspektivën evropiane.
I cilësuar tashmë në kuloaret evropiane si rast sui-generis, aplikimi i Kosovës nuk mund të injorohet.
Me këtë aplikim Kosova detyroi Brukselin të ballafaqohet me premtimin e dhënë qysh në vitin 2003 – kur u konfirmuan dyert e hapura të BE-së për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën.
Dhe krejt keto do duhet të ndodhin në gjysmën e parë të vitit 2023 sepse nuk ka shumë kohë. Duhet të ndërmirren veprimet e shpejta dhe të binden shtet mosnjohëse që të lejojnë nisjen e proceseve të integrimeve evropiane, të cilat edhe ashtu në situata normale marrin shumë kohë – jo muaj por vite.
Por rasti i Kosovës nuk është normal andaj edhe politikbërësit evropian do detyrohen që në gjysmëvjetorin e parë, të ndërmarrin manovra politike diplomatike e shfrytëzojnë mundësitë procedurale në mënyrë që të lejojnë nisjen formale të rrugëtimit evropian për Kosovën e njëkohësisht mbajnë premtimin e dhënë 2 dekada më herët.