Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se të gjitha lojërat e fatit do të ndalen, përveç Lotarisë së Kosovës dhe se një vendim i tillë është i duhur për vendin, pasi deri më tani ka pasur abuzim total.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Haradinaj ka kritikuar qeverisjet e mëhershme pse nuk ndërmarrë veprime konkrete në lidhje me kazinotë dhe lojërat e fatit.
Haradinaj u zotua se janë të gatshëm të interesohen për të gjithë ata të rinj e të reja që kanë punuar në lojërat e fatit, por e pranoi se mundësitë janë të kufizuara për vende të punës.
Kreu i Ekzekutivit i quajti të papranueshme deklaratat zëvendësministres tashmë të shkarkuar Vesna Mikiq, sa i përket intervenimit të NATO-s mbi Serbinë për shkak të gjenocidit që kjo e fundit kreu kundër popullsisë së pafajshme shqiptare.
I pyetur se si do të veprojë me zyrtarët tjerë që bartin postin në Qeverinë e Kosovës, e që të njëjtit kishin përkrahur deklaratat e kësaj të fundit, Haradinaj tha se deklarata të tilla i analizojnë çdo herë me kujdes.
Sa i përket asaj se a ka taksa implikime në liberalizimin e vizave për Kosovën, Haradinaj me humor tha se “është bërë zor t’iu besohet evropianëve”.
Kryeministri tha se me Shqipërinë po mundohen qe të heqin pritjet e gjata në pjesën kufitare dhe tani pret që Tirana zyrtare të bëjë hapat e tjerë.