Mbrëmë, në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, së bashku me aktivisten Nora Fetoshi nga Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë, u takuam me profesorin Dr. Alexis Vahlas dhe me një grup studentësh e hulumtuesish nga Universiteti i Strasburgut (Strasbourg University, Master on European Security at Sciences), në Francë.
Pjesëmarrësit ishin në një vizitë studimore në Kosovë, dhe vinin nga vende të ndryshme si Franca, Gjermania, Moldavia dhe Ukraina. Ata ishin shumë të interesuar të njihnin zhvillimet politike në Kosovë, jetën kulturore dhe sociale në vend. Si fillim u tregova për Lëvizjen tonë, historikun, programin dhe karakterin e saj, si dhe për sukseset tona, sidomos në vitin 2017, me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në qershor e me ato lokale në nëntor.
Në veçanti shtjelluam vizionin e Lëvizjes sonë për reformat në drejtësi dhe ato për shtet zhvillimor, pra, për nevojën për shtimin e numrit të prokurorëve, gjykatësve, trajnimeve dhe asistencës profesionale për ta, për procesin e vetingut dhe ligjin anti-mafia e atë për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, si dhe për themelimin e Fondit Sovran, Agjencisë Zhvillimore e Bankës Zhvillimore të Republikës së Kosovës të cilat do të na nxirrnin nga kriza ekonomike e do të mundësonin progresin shoqëror.
Interesimi i madh i studentëve u shpreh në pyetje e komente edhe për tema të tjera të ndryshme: nga politika e jashtme te dialogu me Serbinë, nga integrimi evropian te bashkimi me Shqipërinë, nga roli i disaporës te valuta e shtrenjtë e euros…