—————————————————————————————————–
KTHIMI NË KOHË!
Në rrëfimin më të ri, dr. Shevqeti na sjell kujtime interesante, duke na rikthyer si në pllakë gramafoni ngjarjet që lanë gjurmë, jehona e të cilave nuk shuhet kurrë…, me fotografi e fjalë.
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
KUJTIMET NGA RRUGA KRYESORE E QYTETIT (8)
Në këtë pjesë do të lexoni: Si u prit vizita e Titos në Gjilan ? Si organizohej dita e rinisë – 25 Maji ? Kush ishin kryetarët e Gjilanit ? Cilat modele të veturave ekzistonin në Gjilan? Kush ishte frizeri i njohur ? Kur u ndërtua objekti i komunës së Gjilanit ? Cilët ishin tre vëllezër futbollistë ? Etj, etj…
8.
Ah Gilan, ah zaman…! Ah Gjilan, ah kohë…!
Lumi i Dobrushës po rrjedh, i ndotur, me aromë kundërmimi në të gjitha drejtimet. Peshqit humbën. Prej të gjitha gjërave që ka ndërtuar njeriu, asgjë nuk është e vlefshme si urat. Ato, urat, pos që mundësojnë kontaktet e njerëzve, mundësojnë miqësi, dashuri në mes të njerëzve, formojnë ambient për jetë kolektive. Urat nuk janë qenje të gjalla që flasin,por urat kanë shpirt! Shpirti i tyre zgjat derisa mbi urë mund të kalohet. Derisa mbi të ecin njerëzit e nën te rrjedh uji, vetëm atëherë ura ka kuptim…
Në qendër të qytetit, përballë hotel “ Evropa”, gjegjësisht “Kristal”, sot, para vitit 1945 ishte shtëpia dykatëshe që kishte qenë burg në vitet 1941-1945, e kishin quajtur “Kausha”. Pastaj, pasi vitit 1945 ndërtuan shitoret njëkatëshe.
Në vitin 1959 u ndërtua komuna e Gilanit si objekt dykatësh, që kishte formën e shkronjës “U”. Në katin e parë ishin dy shitore tekstili, pastaj hyrja në komunë, libraria e Mikës, shitorja e këpucëve, në të cilën punonte Ali Gagica. Në këtë shitore shiteshin këpucë të kombinatit të Pejës, e pas vitit 1971 edhe puntoria e Borkut per shitjen e ranxhadave.
Në katin e dytë të këtij objekti në qendër ishte administrata komunale, zyra e kryetarit, që kishte balkonin në drejtim të hotelit.
Dr. Shevqeti tregon se si i kujtohet që kur ishte fëmijë që kryetar i Gilanit ishte Emin Osmani, fqiu i tij. “Më kujtohet që kur isha fëmijë që kryetar i qytetit të Gilanit ishte Emin Osmani, fqiu im. Më kujtohet kur në korridoret e ndërtesave ekzistuese ishte rregullorja e ndërtesës e nënshrkuar nga ai”. Emin Osmani kishte lindur me 1915, kishte pasur edhe babain Ramush Osmanin, kryetar komune. Vajza Makfirja, veterane e arsimit, drejtoreshë e çerdhës, aktiviste e njohur politike e qytetit. Emin Osmani kishte edhe tre djem, futbollistë të njohur të KF “Crvena Zvezda” – Faikun, Alirizën dhe Reshatin. Faiku ishte golashënues i njohur që solli titullin e parë në Gilan me KF “C. Zvezda”.
Kryetarë të tjerë të Gjilanit, sipas dr. Shevqetit, ishin: Bora Kataniqi, Branko Zhigani, Milaim Zeqiri, Fahredin Behxheti, Avram Lubisavljeviqi dhe Isa Shefkiu. Në kohën e Avramit u prene plepat skaj rrugës kryesore dhe te lumenjtë Banja dhe Dobrusha. Ndërsa, rruga kryesore që ishte me kubëza u mbulua me asfalt. Qyteti humbi bukurinë, humbi freskinë …
Platoja e hotel “Evropa” u bë qendër referente për manifestime. Aty për 25 maj dorëzohej stafeta e rinisë. Dr. Shevqeti kujton atë kohë dhe ditën e 25 majit kur mblidheshin mijëra qytetarë, aty në qendër, në platonë para hotelit. I kujtohet se që kur ishte nxënës dy herë kishte dorëzuar stafetën. Këtë privilegj e kishin vetëm nxënësit e shkelqyeshëm dhe ata që kishin rezultate kulminante në aktivitete sportive, artistike…
Aty mbaheshin takimet e Majit, ku prezentohej kultura gilanase, shqipe,serbe, rome,turke. Në platonë para hotelit, nga Kryqi i Kuq i qytetit organizoheshin ushtrimet në preventivën shëndetësore, ku në komision ishin kirurgët dr. Trajko Atanasov dhe dr. Remzi Ali. Para hotelit “Evropa” tash hotelit “Kristal” parkoheshin automobilat “Ford Curtina” e Celës dhe Xhevit, “Peugeo-të” (Pezhotë) 4004 të dr.Trajko Atanasovit dhe dr.Remzi Ali. “Ford GI SPORTIV” i dr. Zeqirija Sait, ndonjë PZ, Ladë ose Moskviq. Në fillim të rrugës për Shkollën Fillore “Musa Zajmi”, pranë Komunës parkoheshin hamallxhinjtë rom me karroca (“kolica”), pranë bagremit, ku ishte dritarja e zyrës së Isa Devajës. Hajdari ishte vozitës i kryetarit, që kishte automobil “Mercedes” e një kohë edhe “Citroen”.
Ah Gilan, ah zaman, ah kujtime nga rruga kryesore sa shumë ritëm kishte jeta…!
Në të dy anët e urës së Masketarit, lumi Dobrusha u mbulua me beton. Në anën e majtë u ndërtua vetëshërbimi i “Mlladostit”, ndërsa prapa ishte puntoria e Jusuf frizerit Pllanaliut qe kishte emër, atëherë. Ishte frizeri i parë për femra. Ishte edhe xherrah, që e zëvendësoi Kadri xherrahun, i cili u shpërngul në Stamboll. Jusufi ishte edhe bekri, kishte bë nam në Gilan…Aty rregulloheshin femrat që të dukeshin më të bukura për dasma. Përballë hotelit ishte shitorja e “Jumco-s”, pastaj kafiteria në të cilën punonte Ferizi i LLashticës, libraria e Muharrem Bajrës, mirë e furnizuar me libra, e në radhë vinin hekurrishtoret, ku punonin Sali Krileva e Jusufi.
Tre ditë para ardhjes së Titos në Gilan, u bë punë intezive për hapjen e hotelit “Kristal”. Titoja erdhi me 14 prill 1971, para objektit ku ishte gjykata, sot zyra e kryetarit, ishte foltorja (bina) solemne e përgatitur. Rruga kryesore ishte mbushur me njerëz nga qyteti, fshatrat, thuajse askush nuk khshte mbetur në shtëpi. Prezent ishin burra, gra, djem dhe vajza te reja, disa me veshje kombëtare. Nuk kishte vend për të kaluar buburreci. Flamujt valonin, të kombeve dhe kombësive. Shoqërite artistike me veshje kombëtare, program muzikor pa ndal. Fjalën hyrëse e kishte Bajram Selimi, pastaj foli Tito. Njerëzit tentonin ta futnin kokën ta shihnin Tiiton. Në binë ishte Veli Deva, Mahmut Bakalli, Vukashin Jokanoviqi. Kamerieri Shukri Abdullahu i shërbente në hotel, Abidushi ishte caktuar si berber.Titoja vizitoi Kombinatin e Tekstilit “Integj”. Në mbrëmje mbaroi festa, Tito vazhdoi marshutën…
Në hotel, këngëtarët më të njohura ishin Ajtenja dhe Arifja. Arifja ishte primadonë, këndonte në të gjitha gjuhët, salla e hotelit ishte e mbushur përplotë, burrat i harruan bashkëshortet te shtëpia… Por muzika ishte e bukur, popullore, me vlerë.
Ah Gilan! Urës së Masketarit ia larguan anësoret, më nuk po dëgjohet zhurma e ujit, ura që largonte të gjitha pengesat, tani sjell pengesa në sinapsat e trurit…
Na mungon ajo arkitketurë e natyrshme e qytetit…! Ndoshta kanë harruar se mendjet dhe kronikat e kohës jetojmë më shumë se asfalti e betoni! Ato kujtime që po sjellim na ruajnë nga harresa, sepse n aruajnë e mbrojnë freskinë e mendjes…!
Ah Gilan! Rrëfimi vazhdon…Kush e shlyen të djeshmen mbetet pa të nesërmen! Ec nëpër gjurmë që të mos humbasësh kurrë!
Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/redaktoi për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/