Kryetari Kadri Rahimaj në Tokio ka takuar Kei Toyama, Drejtor i Përgjithshëm për Lindjen e Mesme dhe Evropën nga agjencia japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar JICA, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari.
Kryetari Rahimaj ka thënë se në këtë takim kanë biseduar për projektet konkrete që janë realizuar falë bashkëpunimit të ngushtë me Ambasadën Japoneze në Kosovë – JICA-n, ku këto projekte janë: Mamografia digjitale dhe projekti i ujësjellësit në fshatin Hogosht.
“Gjatë këtij takimi pata mundësinë të prezantoj një projekt të ri me potencial të madh për zhvillimin e turizmit në komunën tonë – studimin e fizibilitetit për një rrjet prej 100 km shtigje malore për ecje (hiking), për të cilin shprehëm gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm me JICA-n në fushën e turizmit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit. Shpreh falënderim tim të veçantë për popullin dhe shtetin e Japonisë, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, dhe për kontributin konkret që ndihmon qytetet tona. Faleminderit z. Kei Toyama, JICA, dhe Ambasadorit z. Sabri Kiçmari për bashkëpunimin dhe mikpritjen e ngrohtë”, ka thënë Kryetari Rahimaj.