Deputeti gjilanas, Luan Aliu, ka treguar se ka vizituar Mbretërinë e Bashkuar duke filluar me qytetin e Sheffield-it, ku patën nderin të takojnë Sekretarin e Shtetit për Mbrojtje të Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, dhe deputetin Alex Sobel.
Vizita përfshiu gjithashtu takime me përfaqësues të komunave të Leeds-it dhe Rotherham-it, ku u fol për mundësitë e investimeve në Komunën e Gjilanit.
Shkrimi i plotë:
Këtë muaj e nisëm duke vizituar Mbretërinë e Bashkuar e qytetin e Sheffield-it, i cili e merr emrin e saj nga lumi Sheaf që e përshkon qytetin. Së bashku me Atashehin e Mbrojtjes në Ambasadën e Kosovës në Londër, Agron Bajrami, patëm kënaqësinë të takohemi atje me Sekretarin e Shtetit për Mbrojtje të Mbretërisë së Bashkuar, John Healey dhe deputetin Alex Sobel. Biseduam rreth sfidave të përbashkëta dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm midis dy vendeve tona, gjersa shprehëm falënderimin tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Britania e Madhe i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë, duke ndihmuar edhe në forcimin e institucioneve tona.
Sekretari Healey shprehu mirënjohje të thellë për rolin aktiv të Kosovës në mbështetjen e Ukrainës në luftën kundër agresionit të pajustifikuar rus, si dhe për qëndrimin tonë të qartë përkrah sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë. Ky qëndrim i fuqishëm dhe i qartë ka forcuar lidhjet tona dhe ka treguar përkushtimin e përbashkët ndaj paqes dhe sigurisë në Evropë.
Në qëndrimin disa ditor atje, përveç Sheffield-it qëndruam edhe në qytetet e Leeds dhe Rotherham, ku bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni dhe Besart Selimi nga kabineti i Kryetarit, takuam edhe përfaqësues të këtyre komunave dhe investitorë potencial, të cilët i njohëm me realitetin demokratik të Kosovës dhe diskutuam për mundësitë për investime të reja, me fokus të veçantë në zhvillimin ekonomik të Komunës së Gjilanit. Këto takime hapën dyer të reja për partneritete të frytshme dhe ura bashkëpunimi ekonomik dhe institucional midis Britanisë së Madhe dhe Kosovës.