Presidenti i Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës, Sergiy Tomilenko, ka falënderuar publikisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për pritjen dhe strehimin e gazetarëve nga Ukraina.
Në njoftimin zyrtar të kryeministrit në Twitter për pritjen e gazetares së parë nga Ukraina, Tomilenko ka lënë një koment të shkurtër, ku shpreh falënderimin e tij.
“Albin Kurti, nga thellësia e zemrës, faleminderit për mbështetjen e gazetarëve ukrainas”, ka shkruar ai.
Kurti, sot ka pritur gazetaren e parë në Kosovë nga Ukraina. Ai, në zyrën e tij, i ka uruar mirëseardhje në Kosovë, Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase e strehuar në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas pushtimit rus.
“Republika e Kosovës dënon fuqishëm agresionin ushtarak të Federatës Ruse dhe invazionin në Ukrainë. Solidariteti ynë me popullin tuaj dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme”, ka thënë kryeministri Kurti
Kurti ka theksuar se Republika e Kosovës u është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe është e përkushtuar të punojë së bashku me aleatët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë globale.
Gazetares Makey në Kosovë pritet t’i bashkohen edhe të tjerë kolegë të saj nga Ukraina. Qeveria e Kosovës është zotuar se do të krijojë kushte të përshtatshme pune dhe jetese për ta.
https://mobile.twitter.com/Stommedia/status/1515747631112364034?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1515747631112364034%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fgazetarja-e-pare-e-ukraines-ne-kosove-vjen-falenderimi-nga-kyivi%2F