Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebbook, ka reaguar pas raportimeve për hyrjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, saktësisht në Karaçevë të Kamenicës.
Kastrati tha se është tejet shqetësuese që gjatë ditës paramilitarë serbë të armatosur kanë hyrë në territorin e Kosovës.
Veprimin e tyre, Kastrati e quajti provokim të vazhdueshëm ku kanë terrorizuar qytetarët e asaj ane.
Tutje, Kastrati tha se lidhur me këtë çështje u ka nisur shkresë presidentit të Kosovës, kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes dhe atij të Punëve të Brendshme.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të kryetarit Kastrati:
Është tejet shqetësuese që përsëri sot gjatë ditës disa paramilitarë apo militarë të armatosur serb, hyn në territorin e Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë. Siç shihet në edhe në video, ata kanë ardhur në një zonë të frekuentuar nga banorët e të gjitha moshave.
Provokimi i vazhdueshëm dhe terrorizimi i qytetarëve të kësaj ane, është i papranueshëm. Ky është kërcënim direkt për banorët e Karaçevës dhe për gjithë shtetin tonë.
Lidhur me këtë çështje u kam nisur shkresë zyrtare Presidentit të Kosovës, Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes e atij të Punëve të Brendshme, që konform kompetencave të tyre të veprojnë në këtë drejtim.