Presidenca ka reaguar pas deklaratave të sotme të Faton Pecit dhe Donika Gërvallës, ministra në detyrë, rreth ftesave për mundësinë rreth një takimi me liderët e partive politike për ta zhbllokuar situatën në Kuvend.
Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina ka thënë se e para e shtetit ka treguar vullnetin e mirë, që në përputhje të plotë me kompetencat e saj kushtetuese për garantimin e funksionimin kushtetues të institucioneve, të thërrasë liderët e partive për konsultime se si të dilet nga situata e tanishme kur edhe 3 muaj pas zgjedhjeve nuk kemi Kuvend të Republikës, gjë që rrezikon shtyllat e demokracisë në vend.
“Qytetarët e Kosovës janë dëshmitarë të dështimeve të njëpasnjëshme, më saktësisht 13 herë, të Kuvendit për t’u konstituuar. Në një situatë të tillë, kur qytetarët shohin moskonstituimin e institucioneve si dhe pasojat e kësaj situate për shtetin e Kosovës, për ne është totalisht e pakuptimtë të flitet për “përmbajtje të ftesës”.
“Nëse është dikush në Kosovë që e di shumë mirë që Presidentja nuk bën ftesa kot e as nuk shkruan përmbajtje kot të ftesave, janë pikërisht z.Peci dhe znj.Gërvalla. Poashtu, nëse është dikush që e di fort mirë që Presidentja e njeh tepër mirë edhe Kushtetutën e vendit e edhe kompetencat e saj, janë pikërisht këta dy”.
“Unë nuk e di nëse ata kanë folur në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kur kanë paraqitur sot kushte të tilla, sepse siç e dini edhe ju, z.Kurti i përgjigjej pozitivisht edhe ftesave të Presidentit Thaçi e edhe ftesave të Presidentes Jahjaga (kur kemi pasur një situatë të ngjashme në vitin 2014), prandaj mospërgjigja në ftesën e Presidentes Osmani në një situatë kur vendi po përballet me një bllokadë të rëndë nga e cila pësojnë qytetarët, do të ishte e paprecedentë. Ftesa do të jetë ftesë për takim, pra nuk do të ketë ndonjë filozofi aty. Nuk është koha për hipokrizi por për të treguar nivelin më të lartë të përgjegjësisë shtetërore, sepse qytetarët meritojnë seriozitet maksimal për tema të interesit nacional”, tha ai.