Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani në seancën solemne për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës, ka thënë se çdo herë do jenë falënderues ndaj secilit që sakrifikoi për sjelljen e lirisë së vendit.
Osmani u shpreh se ky rrugëtim i Kosovës s’do përmbyllej asnjëherë pa përkushtimin e aleatëve ndërkombëtarë, njofton Klan Kosova.
”Përfundimisht u dëshmua në Kosovë më shumë se kudo në botë, se liria e jashtme mund të vijë, vetëm nëse fitohet liria e brendshme”.
”Prandaj ne u çliruam sepse e fituam lirinë e brendshme, dhe guxuam të ëndërrojmë dhe këmbëngulëm në vlerat humane kur fqinjët tanë verior i shkelën ato”.
”Këto aleanca na shpëtuan nga zhbërja, ndaj dhe sot jemi në këtë përvjetor falë tyre”.
”Rrugëtimi ynë nuk do të përmbyllej kurrë pa përkushtimin e aleatve tanë”.
”Ne do tu jemi përjetësisht mirënjohës për rreshtimin e tyre në krah të Kosovës kur shfarimi ishte bërë projekt gjenocidal hemogjenist”.
”Kjo përkrahje e aleatëve ndërkombëtarë tashmë është shndërruar në miqësi të përhershme e të cilën do ta kultivojmë e ta ruajmë siç na e mësuan paraardhësit tanë, që miqësitë duhet t’i ruajmë dhe respektojmë”.
”Në këtë ditë e përkujtojmë Ibrahim Rugovën ikonën e përbashkët të lirisë”.
”Kujtojmë Komandantin Legjendar Adem Jashari, dhe gjithë familjen Jashari që dha gjithçka këtij vendi dhe secilin dëshmor e secilin të zhdukur nga lufta në Kosovë, të mbijetuarat e dhunës dhe të gjitha familjet e dëshmorëve”.
”Ne e njohim shumë mirë peshën e lirisë, sepse e kemi përjetuar me shekuj të tërë mungesën e saj. Ne qytetarët e Republikës së Kosovës e kuptojmë çfarë do të thotë të jesh në një regjim shtypës”.
”Historinë e kemi në krah. Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve e grave të masakruar, në krahasim me numrin e banorëve”.
”U masakruan e u vranë, sepse ai regjim nuk e kursente askënd. Sot duhet të jemi unik në idenë për paqe të qëndrueshme, duke mbrojtur sovranitetin tonë në çdo pëllëmbë të territorit”.