Gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare Vjosa Osmani nga Lista Guxo, pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, është zgjedhur shefe e re e shtetit të Kosovës.
Ajo sot në raundin e tretë të votimit për president në Kuvend, ku morën pjesë 82 deputetë, ka marrë 61 votat e nevojshme.
Dje, për shkak të mungesës së kuorumit në votim, Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e vendit. Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmani. Ndërkaq, kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.
Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit. Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë. Edhe raundi i dytë sot ka dështuar për shkak se Vjosa Osmani nuk mori 80 votat e nevojshme.
Ndryshe, që prej 5 nëntorit 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje, pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Vjosa Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit mori mbi 300 mijë vota, duke u bërë kështu personi më i votuar në Kosovën e pasluftës.